Dehja në timon që këputi dy jetë fëmijësh: njeriu që këputi zemrën e çdo shqiptari

Më të lexuarat

Si ka thënë një burrë i mençur: Shqipërinë më të varfër e kam parë, më të çoroditur kurrë jo!

Muaj pasi një i ri nën shpejtësi sketerrë morri jetën e dy motrave në aksin Sarandë-Delvinë, në lulen e rinisë, duke i masakruar pas një përplasjeje ku fajtor ishte qartazi ai, ditë pasi një biznesmen i njohur kinez la jetën në rrugët tona, po ashtu, ditë pasi një gjysmëtruri hipi me makinë mbi trotuar nën zonën më të populluar te Tiranës, te Libri Universitar, ku për fija shpëtoi jeta e kalimtarëve në atë moment, një 57-vjeçar në Durrës, i quajtur Nikollë Radaçi, këputi në mes këtë të dielë jetën e dy fëmijëve që po loznin në trotuar. Fotoja e tij me një krikëll birrë para, tregon shumëçka mbi llojin e njeriut që me gazin në dërrasë kreu një masakër në një zonë të banuar. Siç po raportohet, ka qenë i dehur.

Ky person, theu zemrën e çdo shqiptari që këto orë vajton ku me zë e ku heshturazi, me gjoksin të pushtuar nga marrazi, këtë lloj krimi të tmerrshëm, të denjë për rrugët e Gazës. Po, është krim e jo thjesht aksident dhe si i tillë duhet gjykuar.

Duket se Shqipëria po e shpalos kaosin e saj, çoroditjen si shoqëri, edhe nëpërmjet krimeve në timon dhe nga timoni. Kësaj here, autori nuk ka qëlluar të jetë një birbo i ri; ka qëlluar të jetë me gjasë bashkëshort e prind, por kjo nuk e avokon aspak. Nëse ky njeri është bërë tapë e ka hipur në timon i tillë, ai është nisur drejt një krimi, që në mos ndodhtë mbetet në tentativë. Kësaj here ka ndodhur, tragjikisht. Tashmë do donte ndoshta mos i kish kthyer kurrë ato gllënka, por pendesa e tij nuk ka më asnjë vlerë.

Më e dhimbshme akoma është fakti se pakkush merr mësim nga kjo, nga ata që janë në timon vetëm me gjysmën e trurit, o prej alkooli o prej të ngjashmëve me të në humbamendje me pasoja. Nesër, në rrugët tona sërish do shihen idiotë të tillë në timon, vrasës në tentativë ose vrasës faktikë, pa u frenuar as nga policia e as nga ndërgjegja. Sepse, si koha e si njeriu i kësaj kohe në Shqipëri, është në ditët më të zeza.

Mjafton vetëm një detaj, në dukje pa rëndësi, ajo se çfarë lëshohet brenda makinave, sidomos nga të rinjtë: një muzikë aspak muzikë, e shëmtuar është pak të thuhet; është kriminale. Ndaj dhe ai që e dëgjon, e ka në shijet e tij, vështirë të konsiderohet njeri normal. Duke dëgjuar të kakofoni katastrofike me prejardhje nga rrugaçhanët e Kosovës, me plot fëlliqësira në tekste, ata prej atij momenti janë kontigjent krimi. Dhe siç mund të vërehet, rrugët tona janë të mbushur me mostra të tilla. Ndaj, ruani veten prej tyre nëse nga brenda tyre dëgjohen kafshëri të tilla kinse muzikore.

Po shteti? Hëm! Mos gënjejmë veten kot, e kemi dhe atë në ditën më të zezë. Thjesht, mos rreshtni të lutni Zotin t’ju mbrojë!

/Te sheshi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit