Hutbeja: Kur Allahu thotë “Jo”, për të të dhënë “më të mirën”
Të nderuar besimtarë!
Sot do të flasim për një nga gjendjet më të vështira, por edhe më shpërblyese të besimtarit: Pritjen tek dera e Allahut.
Të gjithë ne kemi kërkesa, kemi dëshira që na i djegin zemrat, kemi lutje që i përsërisim në çdo sexhde. Por, ndonjëherë, ne lutemi dhe përgjigjja nuk vjen ashtu siç e duam. Ndonjëherë, dera ku trokasim mbetet e mbyllur dhe në ato momente, shejtani vjen e na pëshpërit: “Pse nuk po të dëgjon Allahu? Pse tjerëve po e ty jo?”
O besimtarë!
Urtësia pas “Jo”-së Hyjnore
Duhet të kuptojmë se kur Allahu nuk ta jep atë që kërkon, ky nuk është refuzim, por është përzgjedhje. Allahu i Madhërishëm thotë në Kuran: “…por mundet që ju ta urreni një send, e ai të jetë shumë i dobishëm për ju, dhe mundet që ju ta doni një send, e ai të jetë dëmshëm për ju. Allahu e di (fundin e çdo sendi) e ju nuk e dini.” (El-Bekare: 216)
Ne jemi si një udhëtar në mjegull; shohim vetëm dy hapa para. Allahu është El-Latif (I Buti, Ai që i di hollësitë). Ne shohim dëshirën, Ai sheh dobinë. Ne shohim rrugën që na duket e lulëzuar, por Allahu sheh humnerën që fshihet pas atyre luleve.
O besimtarë!
Kujtoni tregimin e Musait (a.s) me Hidrin. Hidri e shpoi anijen e disa të varfërve që punonin me djersën e ballit. Në shikim të parë, ky ishte një dëm, një “Jo” nga fati. Por prapa asaj vrime fshihej shpëtimi! Një mbret tiran po konfiskonte çdo anije të shëndoshë.
Ndonjëherë Allahu e “shpon” anijen e jetës tënde të dështon një biznes, të thyhet një shpresë, të mbyllet një shteg – vetëm që të mos ta marrë dikush tjetër atë që zotëron. Ne shohim vrimën në anije, Allahu sheh mbretin tiran që po vjen për të na grabitur.
O besimtarë!
Edukata e pritjes dhe sabri
Kur Allahu vonon përgjigjen, Ai po të edukon. Ai dëshiron të dëgjojë zërin tënd më gjatë. Transmetohet se kur një besimtar që Allahu e do lutet, Allahu i thotë melaikeve: “Vandoja pak kërkesën robit Tim, sepse Unë e dua zërin e tij dhe dua ta dëgjoj duke më thirrur.”
Vonesa nuk është harresë. Është ftesë për të qëndruar më gjatë në sexhde.
Allahu thotë: “Kërkoni ndihmë me durim e me namaz; vërtet, ajo është barrë e rëndë, por jo edhe për të devotshmit.” (Bekare: 45)
Vëllezër!
Pyeteni veten sot:
Sa dyer janë mbyllur në fytyrën tuaj para disa vitesh, për të cilat sot thoni “Elhamdulilah që nuk u hapën”?
Sa herë kemi qarë për një punë që nuk e morëm, apo për një person me të cilin nuk u martuam?
Në ato momente jemi ndjerë të thyer. Por Allahu ndërhyn si një prind i dhembshur që ia heq fëmijës thikën nga dora edhe pse fëmija qan sepse e do atë “lodër” të shndritshme.
Allahu thotë: “…sepse mundet që ju të urreni diçka, e Allahu të bëjë në të mirë të shumtë.” (Nisa: 19)
O besimtarë! Tre rrugët e Lutjes
Lutja jote nuk humbet kurrë. Pejgamberi (ملسو هيلع هللا ىلص) na ka treguar se lutja ka tre përfundime:
- Ose realizohet ashtu siç e kërkove.
- Ose Allahu largon një të keqe të barabartë me të.
- Ose ta ruan si shpërblim në Ahiret.
Në Ditën e Gjykimit, kur besimtari të shohë thesaret e lutjeve të “papranuara”, do të thotë: “Ah, sikur asnjë nga lutjet e mia të mos ishte pranuar në tokë, që t’i gjeja të gjitha këtu!”
O besimtarë!
Besimtari i vërtetë është ai që e do Allahun edhe kur Ai “nuk i jep”. Dashuria testohet kur plani i Allahut thyen planin tënd. Allahu nuk ta mori për të të lënduar, por për të të mbrojtur.
• O Zot! Na jep një zemër që kënaqet me caktimin Tënd.
• O Zot! Na bëj prej atyre që e kuptojnë se privimi Yt është dhënie e fshehur.
• O Zot! Na mbush shpirtrat me qetësi dhe na udhëzo drejt asaj që është më e mira për fenë tonë, jetën tonë dhe fundin tonë.
• O Zot! Na i prano lutjet tona, e nëse diçka na e ndalon, na e zëvendëso me diçka më të mirë që ne as nuk e kemi imagjinuar.
