Një pjatë me fiq dhe një godinë për kurs Kur’ani…- Sekreti i bereqetit: Përkushtimi i një nëne dhe mrekullia e një takimi të rastësishëm

Më të lexuarat

Nga Vehbi Akşit*

Një pjatë me fiq dhe një godinë për kurs Kur’ani…

“Isha myfti në një qytet në Anadoll. Ishte ditë e shtunë. Pazari i qytetit hapej po atë ditë. Zyrat ishin të mbyllura. Mendova: në vend që të rri në shtëpi, po shkoj në myftini. Shkova në zyrë, bëra një çaj dhe po shikoja nga dritarja. Pazari që përmenda hapej pak më tutje nga myftinia. Dikush vinte për të blerë, dikush për të shitur; të gjithë vinin në pazar. Kishte shumë gjallëri. Përballë myftinisë ishte një dyqan ushqimor.

Teksa po vëzhgoja këtë gjallëri tipike të së shtunës, një makinë luksoze erdhi dhe u parkua para dyqanit. Dyqanxhiu doli me vrull dhe i tha:
“Jo more mik, mos parko para dyqanit!”

Meqë ishte ditë pazari, njerëzit shkonin në pazar dhe dyqani nuk kishte shumë klientë. Dyqanxhiu kur pa se edhe hyrja e dyqanit po i bllokohej, u nervozua edhe më shumë.

Edhe pronari i makinës me nervozizëm i tha:

“A ka ndalim parkimi këtu? Pse të mos parkoj?!”

E pashë se do të lindte një debat i panevojshëm. Zbrita menjëherë dhe i thashë shoferit:

— “Mik, sot është ditë pazari, ka shumë lëvizje. Dyqanxhiu nuk don që t’i mbyllet hyrja, ndoshta shet diçka. Edhe për makinën tënde është më mirë që të mos rrijë këtu se mos dëmtohet nga njerëzit.
Ka vend parkimi në oborrin e myftinisë. Ta hap portën dhe parkoje aty.”

“Në rregull,” tha pronari i makinës.

Pasi e parkoi makinën, i thashë:

“Kam bërë çaj lart, po e pi vetëm. Nëse do, hajde ta pimë bashkë.”

“Mirë, e pimë” tha ai dhe më falënderoi.

U ngjitëm lart. Duke pirë çajin, u njohëm dhe po bisedonim.

Në atë çast, dera e myftinisë u hap. Brenda hyri një grua e moshuar, me duar që i dridheshin. Në dorë mbante një pjatë me fiq të radhitur e me një zë të çiltër tha:

“Biri im! Pashë derën e myftinisë hapur dhe hyra brenda. Më falni. Këta fiq i kam mbledhur nga kopshti. Po i çoj në pazar për t’i shitur. Paratë dua t’jua sjell juve që të ndërtoni një kurs Kur’ani…”

Një pjatë me fiq… ndoshta mezi bënin një kilogram. Ajo do t’i sillte si sadaka për të ndërtuar një kurs Kur’ani…

Një sinqeritet, qëllim dhe dëshirë prekëse…

Unë mbeta pa fjalë. Edhe mysafiri im u prek. E pyeti gruan:

“Sa i shet?”

Gruaja, me një qetësi të plotë tha:
“Jepni sa të doni…”

Burri u emocionua dhe tha:
“Po mirë, a i shet aq sa kushton për të ndërtuar një kurs Kur’ani?”

O Zot!…
Një pjatë fiq dhe një kurs Kur’ani…

Burri u vu në lëvizje për ta realizuar këtë qëllim të bukur. Dëshira e asaj gruaje u bë realitet…

Çfarëdo që të thoni, kjo quhet vetëm sinqeritet. Nëse kërkon me sinqeritet dhe pastërti, Zoti ta jep menjëherë shpërblimin, madje edhe më shumë.

Ajo grua kishte dëshiruar me gjithë zemër. Nuk kishte menduar: “Çfarë mundësish kam unë?” Nuk kishte thënë: “Çfarë mund të bëhet me një pjatë fiq…”
I kishte mbledhur. Nuk kishte thënë: “Do të më qeshin…” por ja kishte nisur.

Këto janë sekretet e bereqetit…

Vehbi Akşit (1968–2024), teolog turk i lindur në Sakarya dhe ish-myfti i rrethit Çekmeköy.
Ndërroi jetë më 20 korrik 2024 pas kthimit nga haxhi si pasojë e një infarkti.

Ferid Piku

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit