Zilia e popujve
Allahu i Lartësuar thotë:
﴿بِئۡسَمَا ٱشۡتَرَوۡا۟ بِهِۦۤ أَنفُسَهُمۡ أَن یَكۡفُرُوا۟ بِمَاۤ أَنزَلَ ٱللَّهُ بَغۡیًا أَن یُنَزِّلَ ٱللَّهُ مِن فَضۡلِهِۦ عَلَىٰ مَن یَشَاۤءُ مِنۡ عِبَادِهِۦۖ فَبَاۤءُو بِغَضَبٍ عَلَىٰ غَضَبࣲۚ وَلِلۡكَـٰفِرِینَ عَذَابࣱ مُّهِینࣱ﴾
“Sa e keqe është ajo për të cilën e shitën veten e tyre: mohimi i asaj që zbriti Allahu, nga zilia që Allahu të japë nga mirësia e Tij kujt të dojë prej robërve të Tij. Kështu, ata merituan zemërim mbi zemërim, ndërsa për mohuesit ka dënim poshtërues.” (El-Bekare : 90).
Imam Taberiu (Allahu e mëshiroftë) thotë në tefsirin e tij:
Sa e keqe është ajo për të cilën e shitën veten e tyre: mohimi i asaj që Allahu e zbriti në Librin e Tij, të cilin ia zbriti Musait (alejhisselam) – për profetësinë e Muhamedit ﷺ dhe urdhrin për ta besuar dhe ndjekur atë – për shkak se Allahu nga mirësia e Tij (urtësin, argumentet dhe profetësin) ia dha kujt deshi nga robërit e Tij, pra Muhamedit ﷺ.
Ata e bënë këtë nga padrejtësia dhe zilia ndaj Muhamedit ﷺ, sepse ai ishte nga pasardhësit e Ismailit dhe jo nga bijtë e Izraelit.
Zilia është një nga pengesat më të mëdha për udhëzimin, si për individët ashtu edhe për popujt.
Ajo ishte shkaku që disa njerëz e mohuan të Dërguarin tonë Muhamed ﷺ dhe u armiqësuan me të.
Allahu e ka sqaruar këtë edhe në vende të tjera të Kuranit, si në fjalën e Tij:
﴿وَدَّ كَثِيرࣱ مِّنۡ أَهۡلِ ٱلۡكِتَـٰبِ لَوۡ يَرُدُّونَكُم مِّنۢ بَعۡدِ إِيمَـٰنِكُمۡ كُفَّارًا حَسَدࣰا مِّنۡ عِندِ أَنفُسِهِم مِّنۢ بَعۡدِ مَا تَبَيَّنَ لَهُمُ ٱلۡحَقُّۖ فَٱعۡفُوا۟ وَٱصۡفَحُوا۟ حَتَّىٰ يَأۡتِيَ ٱللَّهُ بِأَمۡرِهِۦۗ إِنَّ ٱللَّهَ عَلَىٰ كُلِّ شَيۡءࣲ قَدِيرࣱ﴾
“Shumë nga Ithtarët e Librit do të dëshironin t’ju kthenin pas besimit tuaj në mosbesim, nga zilia e tyre, pasi u është bërë e qartë e vërteta.” (El-Bekare: 109).
Ky sqarim nuk është vetëm për të kritikuar hebrenjtë dhe Ithtarët e Librit, por edhe për të paralajmëruar umetin nga sëmundja e popujve të mëparshëm – një sëmundje që e verbon njeriun dhe e fut në errësirë.
Llojet e zilisë që pengojnë udhëzimin
- Zilia ndaj udhëzimit dhe përzgjedhjes hyjnore
Siç ishte zilia e bijve të Izraelit ndaj këtij umeti.
Këtu shkaku i zilisë është mirësia e Allahut ndaj të tjerëve – udhëzimi dhe përzgjedhja.
Kjo lloj zili lind bashkë me këtë mirësi dhe lidhet drejtpërdrejt me të.
- Zilia e mëparshme për mirësitë e kësaj bote
Si pasuria, shëndeti, pozita, nderi apo prejardhja.
Në këtë rast, kur personi që është ziliqar ftohet në të vërtetën nga ai që e ka zili, zilia e mëparshme e pengon ta pranojë atë.
Jo sepse e ka zili për thirrjen e tij, por për shkak të mirësive që ai ka pasur më parë.
Shpesh shohim njerëz që refuzojnë të dëgjojnë të vërtetën dhe nuk e pranojnë atë, madje e mbrojnë të pavërtetën, vetëm për shkak të zilisë dhe inatit ndaj atij që Allahu e ka begatuar me mirësi të kësaj bote.
Kjo është një sprovë e madhe.
Ashtu siç të pasurit sprovohen me thirrjen e të varfërve dhe e refuzojnë atë nga mendjemadhësia dhe zilia, siç thotë Allahu:
﴿وَكَذَٰلِكَ فَتَنَّا بَعۡضَهُم بِبَعۡضࣲ لِّيَقُولُوٓا۟ أَهَـٰٓؤُلَآءِ مَنَّ ٱللَّهُ عَلَيۡهِم مِّنۢ بَيۡنِنَآۗ أَلَيۡسَ ٱللَّهُ بِأَعۡلَمَ بِٱلشَّـٰكِرِينَ﴾
“Dhe kështu Ne i sprovuam disa me të tjerët, që të thonë: ‘A janë këta ata që Allahu i ka favorizuar mbi ne?’ A nuk e di Allahu më mirë se kush janë mirënjohësit?” (El-En‘am: ajeti 53).
Po ashtu, edhe të varfrit sprovohen me thirrjen e të pasurve.
Zilia mund t’i shtyjë ata ta refuzojnë të vërtetën, duke menduar se nuk mund të bashkohen pasuria dhe udhëzimi te një person.
Madje, disa arrijnë deri aty sa kundërshtojnë edhe vendimin e Allahut për këtë.
Allahu ka bërë që disa nga të dërguarit e Tij të jenë mbretër dhe të pasur, ashtu siç ka pasur edhe prej tyre të varfër dhe të thjeshtë, për t’i sprovuar njerëzit në të dyja gjendjet.
Ndërsa besimtari i vërtetë është ai që i nënshtrohet të vërtetës, e pranon atë dhe është i vetëdijshëm për prirjet e shpirtit të tij – duke e pranuar udhëzimin nga kushdo që vjen.
Dr. Abdullah ibën Bilkasim
