Jasin Muhamed Emin el-Kubaisi
Nga “Viti i Trishtimit” deri tek Israja, Mi’raxhi dhe ndryshimi i Kiblës, shfaqen kuptimet e mëkëmbësisë (Istihlaf), identitetit dhe besëlidhjes hyjnore që i lidh muslimanët me Bejtul-Makdisin (Xhaminë El-Aksa) përgjatë historisë.
Në jetën e të Dërguarit të Allahut kaloi një nga fazat më të vështira dhe më të dhimbshme; pasi ai dhe fisi Beni Hashim u dëbuan në grykën e malit (Esh-Shi’b), në rrethanat e një rrethimi mbytës, ai humbi mbështetjen dhe ngrohtësinë me vdekjen e nënës së besimtarëve, Hatixhes. Më pas, nuk vonoi shumë dhe humbi axhën e tij, Ebu Talibin, fill pas përfundimit të rrethimit. Kështu, mbi të u mblodhën hidhërime të njëpasnjëshme, derisa ai vit u quajt “Viti i Trishtimit”.
In kulmin e kësaj sprove ndodhi ngjarja e Israsë dhe Mi’raxhit, jo thjesht si një mrekulli, por si një ngushëllim dhe forcim hyjnor për Pejgamberin e Tij, duke mbartur në vete mësime, urtësi dhe shpjegime, disa prej të cilave i dimë e disa mbeten të fshehura për ne për shkak të një urtësie të lartë. Allahu i Madhëruar deshi ta përgatiste Pejgamberin e Tij për një fazë të re, e cila dallonte në natyrën dhe sfidat e saj, si parapërgatitje për Hixhretin dhe gatishmëri për t’u ballafaquar me armiqtë e thirrjes.
Kështu ndodhi Israja drejt Mesxhid el-Aksasë, asaj pike të bekuar, vendzbritjes së shpalljes dhe strehës së pejgamberëve. Atje, Allahu i bashkoi pejgamberët dhe i Dërguari i Allahut doli imam i tyre në namaz, në një pamje madhështore që mbart domethënie të thella. Edhe po ka mospajtime nëse bashkimi ishte me trupa apo me shpirtra, thelbi i ngjarjes është i vërtetuar dhe ai përbën një nderim të madh për Pejgamberin fisnik.
Prej këtu filloi lidhja e ngushtë mes Jerusalemit dhe mesazhit të Islamit, pasi imamllëku i Pejgamberit me pejgamberët e tjerë në Bejtul-Makdis (Xhaminë El-Aksa) është argument i qartë për mëkëmbësinë e tij dhe të umetit të tij mbi këtë vend, si dhe për mbartjen e amanetit të mesazhit përmbyllës.
Pozita e Jerusalemit shfaqet në dimensione të shumta; së pari, ajo ka rëndësi gjeografike, pasi llogaritet si një nga pikat e shenjta më të afërta me Mekën e Nderuar pas qytetit të të Dërguarit; së dyti, ka rëndësi fetare, duke qenë Kibla e parë dhe llogaritet vendi i tretë i vendeve të shenjta (Haremeve).
Kushdo që e mediton këtë skenë – faljen e Pejgamberit me pejgamberët e tjerë – e kupton se kjo është një shpallje hyjnore për kalimin e udhëheqjes shpirtërore dhe mëkëmbësinë e këtij umeti mbi trashëgiminë e pejgamberive, pasi Muhamedi është vula e pejgamberëve dhe e të dërguarve. Kjo ngjarje nuk është thjesht një fakt historik, por një kontratë qiellore dhe një lidhje hyjnore mes këtij umeti dhe kësaj toke të bekuar, siç thotë i Madhëruari: “Ju jeni umeti më i mirë i nxjerrë për njerëzit.”
Kjo mirësi nuk është një cilësi abstrakte, por një detyrim që kërkon kryerjen e detyrës së mëkëmbësisë, siç vijon ajeti: “Urdhëroni për të mirë, ndaloni nga e keqja dhe besoni Allahun.” Kështu, ky umet u bë kujdestar i këtij vendi, i lidhur me të në mënyrë akidore (besimore) dhe shpirtërore.
Gjithashtu, ngjitja (Mi’raxhi) nga kjo tokë e bekuar e bëri atë pjesë të bazës së akidës islame, saqë përgënjeshtrimi i ngjarjes së Israsë dhe Mi’raxhit llogaritet përgënjeshtrim i mesazhit, sipas fjalës së të Madhëruarit: “A e besoni një pjesë të Librit e pjesën tjetër e mohoni?”
Kur Pejgamberi njoftoi popullin e tij për atë që pa, idhujtarët (mushrikët) e përgënjeshtruan, mirëpo ai u solli atyre argumente që vërtetonin sinqeritetin e tij. Në këtë kontekst vërtetohet historia e Ebu Bekër es-Siddikut, kur idhujtarët erdhën për ta njoftuar se Pejgamberi pretendon se u dërgua natën në Bejtul-Makdis dhe u kthye brenda një nate. Ai tha fjalën e tij të pavdekshme: “Nëse ai ka thënë kështu, atëherë ka thënë të vërtetën”, e më pas shtoi: “Unë e besoj atë për diçka edhe më të largët se kjo, e besoj për lajmin e qiellit”. Për këtë arsye ai meritoi titullin “Es-Siddik” (I vërteti), në një qëndrim që mishëron gradët më të larta të besimit dhe vërtetimit.
Pastaj erdhi urdhri për Hixhret (shpërngulje), ndërsa Israja e Mi’raxhi shërbyen si një përgatitje psikologjike dhe shpirtërore për këtë fazë, siç kanë argumentuar disa nga njerëzit e dijes. Pejgamberi u shpërngul në Medinen e Ndritshme dhe qëndroi në të afërsisht gjashtëmbëdhjetë ose shtatëmbëdhjetë muaj duke u falur në drejtim të Xhamisë El-Aksa. Para Hixhretit, ai falej i drejtuar nga Bejtul-Makdisi, duke e mbajtur Qaben mes tij dhe Jerusalemit, për shkak të dashurisë për Qaben e Nderuar.
Kur u vendos në Medine, ai ngrinte shikimin drejt qiellit, duke pritur ndryshimin e Kiblës drejt Qabes, derisa zbriti shpallja me lajmin e gëzueshëm: “Ne po shohim rrotullimin e fytyrës tënde drejt qiellit, prandaj Ne po të kthejmë ty drejt një Kible që ti e pëlqen.” Ky ishte shfuqizimi (Naskh) i parë në dispozita, të cilin e vërtetuan tri ajete nga Kurani Famëlartë.
Përgjigjja hyjnore ndaj kundërshtuesve erdhi para se ata të flisnin, ku i Madhëruari tha: “Të mendjelehtët nga njerëzit do të thonë: Çfarë i ktheu ata nga Kibla e tyre në të cilën ishin?” si sinjal për debatin dhe kundërshtimin që do të niste. Pasi ky umet është i mëshiruar dhe Pejgamberi i tij është vula e pejgamberëve, Allahu e nderoi duke e bërë Kiblën e tij të njëjtë me atë të Ibrahimit, duke realizuar kështu dëshirën e tij dhe duke e lidhur me vazhdimësinë ibrahimike.
Imam Ahmedi transmeton nga Aishja se Pejgamberi ka thënë: “Ata nuk na kanë zili për asgjë më shumë sesa na kanë zili për ditën e xhuma, në të cilën Allahu na udhëzoi e ata humbën prej saj; për Kiblën, në të cilën Allahu na udhëzoi e ata humbën prej saj; dhe për thënien tonë ‘Amin’ pas imamit.”
Ndryshimi i Kiblës mbart në vete një besëlidhje tredimensionale: ai është nderim për Pejgamberin, besëlidhje bindjeje mes umetit dhe Zotit të tij, dhe besëlidhje uniteti që i bashkon pjesëtarët e umetit në një drejtim të vetëm. Allahu i shndërroi dëshirat e Pejgamberit të Tij në një legjislacion të përjetshëm dhe e bëri këtë legjislacion bosht të identitetit, ndërsa nga ky identitet buron forca shtytëse për përhapje në tokë.
Drejtimi nga Kibla nuk është thjesht një lëvizje fizike në namaz, por është përtëritje e besëlidhjes me Allahun, përkushtim ndaj rrugës së Pejgamberit dhe përkatësi ndaj një umeti të vetëm që e bashkon Kibla.
O Allah, çliroje Mesxhid el-Aksanë nga ndotja e kriminelëve!
O Allah, dërgo salavate, selam dhe bekime mbi imamin e pejgamberëve dhe të dërguarve.
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.
Përktheu: Bekir Halimi
