Jerusalemi në zemër të mesazhit Islam

Më të lexuarat

Jasin Muhamed Emin el-Kubaisi

​Nga “Viti i Trishtimit” deri tek Israja, Mi’raxhi dhe ndryshimi i Kiblës, shfaqen kuptimet e mëkëmbësisë (Istihlaf), identitetit dhe besëlidhjes hyjnore që i lidh muslimanët me Bejtul-Makdisin (Xhaminë El-Aksa) përgjatë historisë.

​Në jetën e të Dërguarit të Allahut kaloi një nga fazat më të vështira dhe më të dhimbshme; pasi ai dhe fisi Beni Hashim u dëbuan në grykën e malit (Esh-Shi’b), në rrethanat e një rrethimi mbytës, ai humbi mbështetjen dhe ngrohtësinë me vdekjen e nënës së besimtarëve, Hatixhes. Më pas, nuk vonoi shumë dhe humbi axhën e tij, Ebu Talibin, fill pas përfundimit të rrethimit. Kështu, mbi të u mblodhën hidhërime të njëpasnjëshme, derisa ai vit u quajt “Viti i Trishtimit”.

​In kulmin e kësaj sprove ndodhi ngjarja e Israsë dhe Mi’raxhit, jo thjesht si një mrekulli, por si një ngushëllim dhe forcim hyjnor për Pejgamberin e Tij, duke mbartur në vete mësime, urtësi dhe shpjegime, disa prej të cilave i dimë e disa mbeten të fshehura për ne për shkak të një urtësie të lartë. Allahu i Madhëruar deshi ta përgatiste Pejgamberin e Tij për një fazë të re, e cila dallonte në natyrën dhe sfidat e saj, si parapërgatitje për Hixhretin dhe gatishmëri për t’u ballafaquar me armiqtë e thirrjes.

​Kështu ndodhi Israja drejt Mesxhid el-Aksasë, asaj pike të bekuar, vendzbritjes së shpalljes dhe strehës së pejgamberëve. Atje, Allahu i bashkoi pejgamberët dhe i Dërguari i Allahut doli imam i tyre në namaz, në një pamje madhështore që mbart domethënie të thella. Edhe po ka mospajtime nëse bashkimi ishte me trupa apo me shpirtra, thelbi i ngjarjes është i vërtetuar dhe ai përbën një nderim të madh për Pejgamberin fisnik.

​Prej këtu filloi lidhja e ngushtë mes Jerusalemit dhe mesazhit të Islamit, pasi imamllëku i Pejgamberit me pejgamberët e tjerë në Bejtul-Makdis (Xhaminë El-Aksa) është argument i qartë për mëkëmbësinë e tij dhe të umetit të tij mbi këtë vend, si dhe për mbartjen e amanetit të mesazhit përmbyllës.

​Pozita e Jerusalemit shfaqet në dimensione të shumta; së pari, ajo ka rëndësi gjeografike, pasi llogaritet si një nga pikat e shenjta më të afërta me Mekën e Nderuar pas qytetit të të Dërguarit; së dyti, ka rëndësi fetare, duke qenë Kibla e parë dhe llogaritet vendi i tretë i vendeve të shenjta (Haremeve).

​Kushdo që e mediton këtë skenë – faljen e Pejgamberit me pejgamberët e tjerë – e kupton se kjo është një shpallje hyjnore për kalimin e udhëheqjes shpirtërore dhe mëkëmbësinë e këtij umeti mbi trashëgiminë e pejgamberive, pasi Muhamedi është vula e pejgamberëve dhe e të dërguarve. Kjo ngjarje nuk është thjesht një fakt historik, por një kontratë qiellore dhe një lidhje hyjnore mes këtij umeti dhe kësaj toke të bekuar, siç thotë i Madhëruari: “Ju jeni umeti më i mirë i nxjerrë për njerëzit.”

​Kjo mirësi nuk është një cilësi abstrakte, por një detyrim që kërkon kryerjen e detyrës së mëkëmbësisë, siç vijon ajeti: “Urdhëroni për të mirë, ndaloni nga e keqja dhe besoni Allahun.” Kështu, ky umet u bë kujdestar i këtij vendi, i lidhur me të në mënyrë akidore (besimore) dhe shpirtërore.

​Gjithashtu, ngjitja (Mi’raxhi) nga kjo tokë e bekuar e bëri atë pjesë të bazës së akidës islame, saqë përgënjeshtrimi i ngjarjes së Israsë dhe Mi’raxhit llogaritet përgënjeshtrim i mesazhit, sipas fjalës së të Madhëruarit: “A e besoni një pjesë të Librit e pjesën tjetër e mohoni?”

​Kur Pejgamberi njoftoi popullin e tij për atë që pa, idhujtarët (mushrikët) e përgënjeshtruan, mirëpo ai u solli atyre argumente që vërtetonin sinqeritetin e tij. Në këtë kontekst vërtetohet historia e Ebu Bekër es-Siddikut, kur idhujtarët erdhën për ta njoftuar se Pejgamberi pretendon se u dërgua natën në Bejtul-Makdis dhe u kthye brenda një nate. Ai tha fjalën e tij të pavdekshme: “Nëse ai ka thënë kështu, atëherë ka thënë të vërtetën”, e më pas shtoi: “Unë e besoj atë për diçka edhe më të largët se kjo, e besoj për lajmin e qiellit”. Për këtë arsye ai meritoi titullin “Es-Siddik” (I vërteti), në një qëndrim që mishëron gradët më të larta të besimit dhe vërtetimit.

​Pastaj erdhi urdhri për Hixhret (shpërngulje), ndërsa Israja e Mi’raxhi shërbyen si një përgatitje psikologjike dhe shpirtërore për këtë fazë, siç kanë argumentuar disa nga njerëzit e dijes. Pejgamberi u shpërngul në Medinen e Ndritshme dhe qëndroi në të afërsisht gjashtëmbëdhjetë ose shtatëmbëdhjetë muaj duke u falur në drejtim të Xhamisë El-Aksa. Para Hixhretit, ai falej i drejtuar nga Bejtul-Makdisi, duke e mbajtur Qaben mes tij dhe Jerusalemit, për shkak të dashurisë për Qaben e Nderuar.

​Kur u vendos në Medine, ai ngrinte shikimin drejt qiellit, duke pritur ndryshimin e Kiblës drejt Qabes, derisa zbriti shpallja me lajmin e gëzueshëm: “Ne po shohim rrotullimin e fytyrës tënde drejt qiellit, prandaj Ne po të kthejmë ty drejt një Kible që ti e pëlqen.” Ky ishte shfuqizimi (Naskh) i parë në dispozita, të cilin e vërtetuan tri ajete nga Kurani Famëlartë.

​Përgjigjja hyjnore ndaj kundërshtuesve erdhi para se ata të flisnin, ku i Madhëruari tha: “Të mendjelehtët nga njerëzit do të thonë: Çfarë i ktheu ata nga Kibla e tyre në të cilën ishin?” si sinjal për debatin dhe kundërshtimin që do të niste. Pasi ky umet është i mëshiruar dhe Pejgamberi i tij është vula e pejgamberëve, Allahu e nderoi duke e bërë Kiblën e tij të njëjtë me atë të Ibrahimit, duke realizuar kështu dëshirën e tij dhe duke e lidhur me vazhdimësinë ibrahimike.

​Imam Ahmedi transmeton nga Aishja se Pejgamberi ka thënë: “Ata nuk na kanë zili për asgjë më shumë sesa na kanë zili për ditën e xhuma, në të cilën Allahu na udhëzoi e ata humbën prej saj; për Kiblën, në të cilën Allahu na udhëzoi e ata humbën prej saj; dhe për thënien tonë ‘Amin’ pas imamit.”

​Ndryshimi i Kiblës mbart në vete një besëlidhje tredimensionale: ai është nderim për Pejgamberin, besëlidhje bindjeje mes umetit dhe Zotit të tij, dhe besëlidhje uniteti që i bashkon pjesëtarët e umetit në një drejtim të vetëm. Allahu i shndërroi dëshirat e Pejgamberit të Tij në një legjislacion të përjetshëm dhe e bëri këtë legjislacion bosht të identitetit, ndërsa nga ky identitet buron forca shtytëse për përhapje në tokë.

​Drejtimi nga Kibla nuk është thjesht një lëvizje fizike në namaz, por është përtëritje e besëlidhjes me Allahun, përkushtim ndaj rrugës së Pejgamberit dhe përkatësi ndaj një umeti të vetëm që e bashkon Kibla.

​O Allah, çliroje Mesxhid el-Aksanë nga ndotja e kriminelëve!

O Allah, dërgo salavate, selam dhe bekime mbi imamin e pejgamberëve dhe të dërguarve.

​Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

Përktheu: Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit