Disa njerëz kanë forcë të madhe në dije, që ua zbulon rrugën, stacionet e saj, shenjat e saj, pengesat dhe rreziqet e saj. Kjo forcë është më e madhe tek ata se forca e veprimit. Ata i shohin të vërtetat, por nuk veprojnë sipas tyre; i shohin shkatërrimet dhe rreziqet, por nuk i shmangin. Ai është fekih derisa të vijë momenti i veprimit; kur vjen veprimi, ai mbetet pas bashkë me injorantët, por dallon prej tyre vetëm në dije.
Kjo është gjendja e shumicës së atyre që merren me dije, përveç atij që Allahu e ruan.
Disa të tjerë kanë forcë të madhe në veprim dhe vullnet, dhe kjo forcë mbizotëron tek ata. Kjo i shtyn drejt rrugës së adhurimit, asketizmit në këtë botë dhe dëshirës për botën tjetër, si dhe drejt përpjekjes në vepra. Por ata janë të verbër në kuptim kur paraqiten dyshimet në besim ose devijimet në fjalë dhe vepra. Ashtu si i pari ishte i dobët përballë dëshirave, ky është i dobët për shkak të padijes së tij.
Sëmundja e këtij është padija, ndërsa sëmundja e të parit është prishja e vullnetit dhe dobësia e mendjes. Kjo është gjendja e shumicës së atyre që ndjekin rrugën e varfërisë dhe të tesavufit pa u mbështetur në dije, por në shije, ndjenja dhe zakone.
Ndërsa ai që i bashkon të dyja këto forca, rruga e tij drejt Allahut bëhet e drejtë dhe shpresohet që të arrijë qëllimin. Ai bëhet i fortë për t’i larguar pengesat dhe ndalesat me ndihmën e Allahut. Sepse pengesat janë të shumta dhe të forta; shumë pak njerëz shpëtojnë nga rrjetat e tyre.
Sikur të mos ishin këto pengesa dhe sprova, rruga do të ishte e mbushur me udhëtarë. Por Allahu bën çfarë të dojë. Dhe koha siç është thënë është si shpata: nëse nuk e pret ti atë, ajo të pret ty. Kur ecja është e dobët, vullneti është i dobët, njohja e rrugës është e dobët, ndërsa pengesat e jashtme dhe të brendshme janë të shumta dhe të forta, atëherë kjo është një sprovë e rëndë, një fatkeqësi e madhe dhe një gëzim për armiqtë; përveç nëse Allahu e arrin robin me mëshirën e Tij nga një vend që ai nuk e pret, ia merr dorën dhe e shpëton nga pengesat. Allahu është Dhënësi i suksesit.”
Shih: Tarikul Hixhretejn” (fq. 233), të Imam Ibn Kajim Xhevzit.
Përktheu: Fitim Gërguri
