David Gendelman pranon: objektivi ndaj Iranit nuk është rrëzimi i regjimit, por konsumimi i kapaciteteve

Më të lexuarat

Artikulli i David Gendelman analist dhe historian ushtarak izraelit zbulon një mendësi thjesht ushtarake në leximin e përballjes me Iranin, e cila e mat suksesin me shifra dhe jo me transformime politike.

Ai flet për operacionin “Ulërima e Luanit” si ende në fazat fillestare për nga sasia e municioneve, dhe thekson një koordinim të qartë operacional: Izraeli “pastron” sistemet e mbrojtjes ajrore, më pas hyjnë bombarduesit amerikanë B-2 Spirit për të goditur objektivat e thella dhe të fortifikuara. Ky është përshkrim i një lufte metodike që synon gradualisht infrastrukturën ushtarake, jo një goditje të vetme vendimtare.

Sa i përket raketave iraniane, ai e zbeh “mitizimin” e raketave hipersonike, por pranon në mënyrë të tërthortë rrezikshmërinë e kërcënimit raketor konvencional, duke e konsideruar praktikisht më të rrezikshëm se dosja bërthamore, sepse është një realitet ekzistues dhe i përdorur, dhe sepse Irani — sipas tij — ka treguar aftësi të shpejtë për të rikthyer prodhimin. Prandaj ai përqendrohet në logjikën e “zvogëlimit të kapaciteteve” (platforma lëshimi, depo, fabrika, komandantë).

Më domethënës është diskutimi i tij për frontin e brendshëm: një pranim i qartë se nga një goditje direkte me raketë balistike të mbron vetëm një strehimore e nivelit qeveritar, ndërsa fortifikimet e tjera vetëm reduktojnë rrezikun në mënyrë statistikore, por nuk e parandalojnë katastrofën në rast goditjeje të drejtpërdrejtë. Këtu shfaqet një diskurs justifikues i mbështetur në statistika: goditja direkte është “e rrallë”, dhe ai që bie viktimë “ka hyrë në një ekuacion probabiliteti të dhimbshëm”. Kjo është logjikë menaxhimi rreziku, jo premtim për mbrojtje të plotë.

Politikisht, ai është skeptik për rrëzimin e regjimit iranian. Nuk flet për “ndryshim regjimi” si objektiv të garantuar, por për një konsumim ushtarak gradual. Nëse regjimi bie më vonë për shkak të destabilizimit, kjo do të ishte “fitore shtesë”, por jo rezultat i sigurt.

Në përmbledhje: objektivi nuk është një goditje përfundimtare, por një gërryerje afatgjatë e kapaciteteve. Kërcënimi raketor është aktualisht më i prekshëm se ai bërthamor. Fronti i brendshëm është i mbrojtur relativisht, jo absolutisht. Rrëzimi i regjimit është mundësi, jo plan i garantuar.

Kjo na rikthen te pyetja thelbësore e ngritur më herët: nëse qëllimi është zvogëlimi i kapaciteteve dhe jo përmbysja e regjimit, atëherë “çfarë më pas?” A çon konsumimi në një parandalim të qëndrueshëm, apo në një cikël të gjatë përshkallëzimi që menaxhohet me shifra dhe jo me zgjidhje politike?

Përkthim: Mustafa Ibrahim

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit