Një e treta e Ramazanit kaloi – A po ecën zemra jote drejt Allahut?

Më të lexuarat

Ka kaluar një e treta e muajit!
Dhe gjuha e zemrës thotë: ngadalë, ngadalë o Ramazan!

Ditët po shpërndahen shpejt nga duart tona; ajo që ka ikur nuk kthehet më kështu është i gjithë jeta e njeriut!

Ndalohu me veten dhe shiko gjendjen tënde: ku ka arritur zemra jote?
Çfarë ke paraqitur para Zotit tënd? A je afruar më shumë me devotshmërinë (takvanë)?

Nëse je përpjekur dhe je munduar, falënderoje Allahun, kërko prej Tij sinqeritet dhe pranim, dhe kërko ndihmën e Tij për të shtuar e për ta përmbyllur muajin sa më mirë.

Nëse ke qenë i mangët e ke neglizhuar, dhe të ka kapluar trishtimi e dhimbja, kërko prej Allahut faljen, mëshirën dhe ndihmën e Tij.
Mos u dëshpëro dhe mos u ligështo, sado i madh të ketë qenë neglizhimi yt ende ka mbetur më shumë sesa ka kaluar!

Mendo mirë për Zotin tënd, i Cili të bëri ta arrish Ramazanin dhe ta zgjati jetën deri në këto ditë.
Mos u mbështet vetëm te planet dhe oraret, sepse ne nuk ecim me përpjekjen tonë, por me ndihmën dhe suksesin që jep Allahu. Nuk ka forcë e as fuqi për ne përveçse me Allahun!

Rinovo pendimin tënd, kërko falje për mangësitë, ndjeje keqardhjen dhe përule zemrën para Allahut.
Mblidhe zemrën dhe drejtoje nga Ai, që të mos jesh prej atyre që humbasin e dështojnë.
Vendos të përpiqesh fort në ditët që kanë mbetur.

Shiko çfarë të pengon dhe të largon nga adhurimi dhe përkushtimi, dhe lehtësohu prej tyre sa të mundesh.

Vendos ta shfrytëzosh çdo minutë të ditëve që vijnë.

Furnizohu me Kuran me lexim dhe meditim me dhikër, namaz, lutje dhe sadaka.

Çdo e mirë nga e cila je vonuar, nxito tani drejt saj dhe mos e shty.

Kujdesu mirë për zemrën tënde dhe mos u bëj i pakujdesshëm. Edhe nëse gjymtyrët dobësohen, vlera është tek ai që është i sinqertë dhe paraprin me zemrën e tij.

Nëse kanë kaluar dhjetë ditë, kanë mbetur edhe njëzet; mes tyre janë dhjetë netët e fundit dhe Nata e Kadrit. Përpiqu sa të mundesh dhe mos i humb ato.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit