Ben Blushi xhamia edukon vetëpërmbajtjen, disiplinën morale dhe virtytet e larta si vlera sublime, ndërsa “Big Brother-i” yt (B.B tamam si inicialet e emrit tënd) nuk edukon lirinë, por shtirjen dhe shthurjen morale. Për ty një femër e zhveshur, pavarësisht moralit të saj, është më e mirë sesa një e mbuluar, pavarësisht moralit të saj, sepse e para është e “lirë” ndërsa e dyta është e “robëruar”!
Si i majtë dhe socialist që je, ti duhet ta kuptosh mirë se “liria” për të cilën ti flet është konstrukt dhe model shoqëror i imponuar dhe jo zgjedhje personale. Në rrethanat ku jetojmë të jesh me minifund apo gjysmë lakuriq nuk është plotësisht zgjedhje personale, por trend dhe “normalitet shoqëror” ndaj dhe nuk mund të jetë një akt absolut lirie. Përkundrazi, nisur nga ky realitet, të dalësh në të kundërt të rrymës dhe të mbulohesh është një akt më i fortë lirie individuale, sesa të lejosh veten të të marrë rrjedha e lakuriqësisë sociale.
Nëse as njëra dhe as tjetra, nuk janë akte të pastra lirie, atëherë ne preferojmë “nënshtrimin” ndaj Zotit dhe jo “nënshtrimin” ndaj turmave që udhëhiqen nga pasionet e ulëta të mishit.
Ti që nuk beson në Zot, qëndroi -po munde, deri në fund- koherent tezave të tua ateiste dhe mos u ngatërro në pohime edhe pro edhe kundra fesë islame, sepse bëhesh qesharak dhe kontradiktor edhe pse mund të të duartrokasin dhe pranojnë turmat e pamend. Përndryshe do të bëje shumë mirë që të mos hallakatesh më në humbjen tënde ateiste, por të na bashkohesh në Islam, për të shpëtuar shpirtin tënd të trazuar.
