Sipas një artikulli të gjatë të botuar nga revista amerikane The Atlantic, gazetari Robert Worth transmeton dëshminë e njërit prej anëtarëve të rrethit të afërt, i cili e shoqëroi Asadin në orët e tij të fundit. Ai rrëfen se presidenti, deri në çastin e fundit, vazhdonte t’u jepte të gjithëve siguri të rreme, duke pretenduar se forca besnike të regjimit po vinin nga jugu për të mbrojtur Damaskun.
Kjo nuk ishte e vërtetë. Ushtria po shpërbëhej, aleatët iranianë po tërhiqeshin dhe vetë rusët po e përballnin me prova se forcat e tij nuk po luftonin më.
Në orën dy të mëngjesit, Asadi kërkoi të përgatiteshin makinat për ta transportuar dhe urdhëroi punonjësit të mblidhnin me ngut sendet e tij. Vetëm atëherë, njerëzit përreth tij e kuptuan se presidenti nuk kishte ndërmend të qëndronte, as të dilte publikisht, por po përgatitej për arratisjen përfundimtare.
Megjithatë, ai mori me vete vetëm dy ndihmës dhe djalin e tij, Hafizin, ndërsa të tjerëve iu tha qartë se “nuk kishte vend për ta”.
Burimi mbi të cilin u mbështet Worth rrëfen një skenë shumë domethënëse: shoferi personal i Asadit, që e kishte shërbyer për shumë vite, qëndroi te dera dhe e pyeti me hidhërim:
“A po na braktis vërtet?”
Asadi nuk shfaqi asnjë ndjesë dhe as ndjenjë përgjegjësie. Përkundrazi, u përgjigj me një pyetje që pasqyronte mentalitetin e tij deri në momentin e fundit:
“Po ju? A nuk po luftoni?”
Pastaj u kthye dhe doli drejt vendit ku rusët po e prisnin.
