Mesazh për zemrën tënde – Për atë që ka zemër!

Më të lexuarat

Ky planet ishte i zhytur në humbje nga maja e kokës deri te shputat e këmbëve: hebrenjtë e kishin shtrembëruar Tevratin, të krishterët pretenduan se Allahu ka bir, ndërsa arabët e mbushën Shtëpinë e Allahut me idhuj dhe i adhuruan ata përveç Tij. Nëse kjo ishte gjendja e atyre tek të cilët zbritën shpalljet, atëherë për të tjerët as që ka nevojë të flitet.

Ndërsa njerëzimi ndodhej në këtë gjendje, i Gjithëmëshirshmi e shikoi me një shikim dhembshurie; u mëshirua për të, siç është zakoni i Tij, u tregua bujar, siç është gjithmonë, dhe dhuroi, siç është mënyra e Tij.

Së shpejti, nga një shpellë e errët në Mekë, do të zbriste një burrë që mbante dritën për ta ndriçuar këtë planet. Ai kishte mbushur dyzet vjeç; mendja e tij ishte pjekur mjaftueshëm për ta kuptuar shpalljen dhe për t’ua përcjellë njerëzve, ndërsa ndjenjat e tij ishin pjekur dhe zbutur për të shpërndarë dashuri e mëshirë. Shumë më herët, në shtëpinë e Halime es-Sa‘dijes, zemra e tij ishte pastruar, dhe tashmë gjithçka ishte gati që të fillonte misioni që ishte shkruar të ndryshonte përgjithmonë fytyrën e këtij planeti.

Si përgatitje për këtë burrë të madh, i cili po përgatitej gradualisht për këtë mision, e para me të cilën filloi shpallja ishte ëndrra e mirë. Ai nuk shihte ndonjë ëndërr, veçse ajo realizohej më pas e qartë si drita e agimit. Pastaj iu bë e dashur vetmia; ai veçohej me veten në shpellën Hira, ku qëndronte netë të tëra, e më pas kthehej te Hatixhja, gruaja që më vonë do të bëhej mbështetja e tij e brendshme dhe forca e tij më e madhe. Në vetminë e jetës, burri ka nevojë për zemrën e një gruaje.

Në njërën nga këto vetmi, në shpellë, Xhibrili zbriti mbi të me rrezet e para të dritës dhe i tha: “Lexo!” Ai u përgjigj: “Unë nuk di të lexoj.” I tha përsëri: “Lexo!” Ai u përgjigj: “Unë nuk di të lexoj.” Për herë të tretë i tha: “Lexo!” Ai pyeti: “Çfarë të lexoj?” Atëherë i tha:

﴿Lexo në emër të Zotit tënd që krijoi; krijoi njeriun nga një pikë e ngjitur. Lexo, se Zoti yt është Më i Bujari, Ai që mësoi me pendë, ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte.﴾

Ai zbriti nga shpella Hira duke u dridhur nga madhështia e shpalljes. Mund të kishte shkuar te Ebu Talibi, xhaxhai i tij që e kishte mbrojtur dhe përkujdesur gjithmonë, ose te Ebu Bekri, miku i tij besnik dhe ruajtësi i sekreteve të tij; por ai shkoi me zemrën e tij te Hatixhja. Ka çaste në këtë botë kur njeriut nuk i nevojitet asgjë më shumë se një përqafim.

Ai arriti tek ajo duke u dridhur dhe duke thënë: “Mbulomëni, mbulomëni!” Ajo e mbuloi, e përqafoi dhe e qetësoi. Kur frika iu largua, ai i tregoi çfarë kishte përjetuar dhe i tha: “U frikësova për veten time.” Ajo iu përgjigj: “Jo, pasha Allahun, Allahu kurrë nuk do të të poshtërojë. Ti i mban lidhjet farefisnore, mban barrën e të dobëtit, ndihmon atë që nuk ka, e nderon mysafirin dhe qëndron pranë së vërtetës në vështirësi.”

Më pas ajo e çoi te kushëriri i saj, Uereka ibn Neufeli, një plak i moshuar që ishte verbuar. Ai ishte bërë i krishterë në kohën e injorancës dhe kishte shkruar Ungjillin në hebraisht. Ajo i tha: “O kushëri, dëgjo nga biri i vëllait tënd!” Uereka i tha: “O biri i vëllait tim, çfarë sheh?” Profeti ﷺ i tregoi atë që kishte parë. Uereka tha: “Ky është Namusi që i zbriti Musait. Ah, sikur të isha i ri! Sikur të isha gjallë kur populli yt do të të dëbojë!” Profeti ﷺ e pyeti: “A do të më dëbojnë?” Ai iu përgjigj: “Po. Askush nuk ka ardhur me një mesazh të tillë pa u armiqësuar. Nëse e arrij atë ditë, do të të ndihmoj me një ndihmë të fuqishme.”

Nuk kaloi shumë dhe Uereka ndërroi jetë, ndërsa shpallja u ndërpre për një kohë.

Mësimi i parë

Disa gjëra duhet të vonohen që të vijnë më të bukura. Allahu i Madhëruar zgjedh nga kohët më të sakta. Çdo lutje që ia ke drejtuar Allahut dhe është vonuar, nuk ka ardhur ende koha e saj. Ki besim në urtësinë e Allahut dhe thuaje me zemër të mbushur me bindje: Ai është përgjigjur, por po përgatit shkaqet. Çdo brengë që të ka goditur ka ardhur në kohën e vet; njerëzit nuk formohen ndryshe veçse nën peshën e ditëve. Vetëm zjarri e pastron hekurin nga papastërtia dhe e forcon; po të mos ishte nxehtësia e furrës, buka do të mbetej brumë. Profeti ﷺ duhej të priste dyzet vjet që të bëhej madhështori që njohëm, sepse ka përgjegjësi që kërkojnë pjekuri mendore dhe ekuilibër emocional. A nuk e di se Hidri i tha Musait, alejhi selam, se dy jetimët duhej të arrinin pjekurinë e tyre më parë, e pastaj të nxirrej thesari i tyre?

Mësimi i dytë

Përgatiti njerëzit për detyrën që kërkon prej tyre. Atë që e do për një punë të suksesshme, trajnoje. Vajzën përgatite për martesë dhe mësoja si drejtohet një shtëpi; djalit mësoja natyrën e grave dhe udhëzoje. Betejat e jetës nuk fitohen pa përgatitje. Është e vërtetë se përvoja fitohet me prova, por zotërimi i çelësave të suksesit është vendimtar. Profetësia është mbi nivelin njerëzor dhe kërkon shpirt, mendje dhe zemër të një natyre të veçantë. Vizionet që Profeti ﷺ shihte, të cilat realizoheshin si drita e agimit, ishin përgatitje për pranimin e shpalljes; po ashtu, dashuria për vetminë para saj ishte një përpunim i shpirtit, zemrës dhe mendjes.

Mësimi i tretë

Martesa e suksesshme është ajo në të cilën ka po aq miqësi sa edhe dashuri: të gjesh qetësi dhe të japësh qetësi, të mbështetesh dhe të jesh mbështetje, të shërosh dhe të shërohesh. Që e gjithë bota të bëhet pa vlerë, por jo edhe i dashuri yt; që i gjithë universi të shitet që të blihet një ndjenjë e të dashurit. Të jesh i sigurt dhe burim sigurie, të mbahesh fort pa u lënë dhe pa lënë, dhe secili të mbështetet te tjetri pa frikë nga rënia. Nëse kjo nuk realizohet, për çfarë dashurie dhe mëshire flasim? A e ke pyetur ndonjëherë veten pse Profeti ﷺ shkoi te Hatixhja pas shpalljes dhe pse e zgjodhi atë? Sepse ajo ishte e gjitha kjo për të: e sigurt, e dhembshur, e mençur dhe e fortë. Ai e dinte se askush tjetër nga njerëzit nuk mund ta përmbante veç saj; dhe ai, me zemrën dhe moralin e tij, e kishte fituar zemrën e saj. Kur toka ngushtohet për njeriun, gjiri i të dashurit i zgjerohet.

Mësimi i katërt

Veprat e mira mbrojnë nga përfundimet e këqija. Ky është një rregull që njerëzit e njohin nga përvoja. Hatixhja nuk dinte asgjë për Islamin kur Profeti ﷺ erdhi tek ajo duke u dridhur, megjithatë ajo tha me bindje: “Pasha Allahun, Allahu kurrë nuk do të të poshtërojë.” Ajo përmendi virtytet dhe mirësitë e tij ndaj njerëzve. Edhe njerëzit e injorancës e dinin se kush mbjell të mirën, e korr atë. Prandaj shtoni veprat e mira: askush nuk është më besnik se Allahu. Kush ndihmon, ndihmohet; kush shëron, shërohet; kush bën padrejtësi, sprovohet. Shëroni zemrat, fshini lotët, riparoni të thyerin, shlyeni borxhet, plotësoni nevojat dhe ruani dinjitetin e njerëzve.

Mësimi i pestë

Arabët thonë: Pyet atë që ka përvojë. Këshilla kërkohet vetëm nga i urti dhe nevojat zgjidhen vetëm tek njerëzit e duhur. I pamaturi i ndërlikon problemet, ndërsa ai pa dije jep mendime pa bazë. A nuk e plotësoi vrasësi i nëntëdhjetë e nëntë vetëve numrin njëqind kur pyeti një adhurues që i dha përgjigje pa dije? Kur pyeti një dijetar, ai e udhëzoi drejt pendimit dhe veprës, dhe kjo u bë shkak për shpëtimin e tij. Për këtë arsye, Hatixhja e çoi Profetin ﷺ te Uereka ibn Neufeli, sepse çështja ishte shpallje dhe lajm nga qielli, dhe ky ishte fusha e tij. Pini nga burimi dhe lini kanalet.

Mësimi i gjashtë

Uereka ibn Neufeli nuk e dinte të fshehtën, por e njihte ligjin e Allahut në këtë botë: e vërteta dhe e kota janë në përballje deri në Ditën e Kiametit. Fushat ndryshojnë, njerëzit ndërrohen, por përballja mbetet e njëjtë. Ai e dinte se kjo thirrje do t’i ngushtonte zemrat e Kurejshëve dhe se e kota do të ashpërsohej në luftën kundër së vërtetës. Vendoseni këtë të vërtetë para syve tuaj: njerëzit nuk ju kundërshtojnë për personat tuaj, por për mesazhin që mbani. Kjo është një fe që na ka ardhur përmes sakrificave, gjakut, pasurisë, vuajtjes dhe padrejtësive; dhe nuk ruhet veçse me të njëjtin çmim. Malli i Allahut është i shtrenjtë, dhe Allahu ka blerë.

✍️ Ed-hem Sherkavi / “Sutur”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit