Vetmia me Allahun në netët e errëta – Hoxhë Fitim Gërguri

Më të lexuarat

Ka çaste kur njeriu e kupton se zhurma e ditës nuk i shëron plagët dhe fjalët e njerëzve nuk e lehtësojnë barrën e zemrës. Atëherë shpirti kërkon vetminë, jo si ikje nga realiteti, por si kthim te burimi i sigurisë. Në netët e errëta, kur gjithçka hesht dhe maskat bien, robi mbetet ballë për ballë me veten dhe me Zotin e tij. Aty kuptohen të vërtetat më të mëdha: se strehë e vërtetë nuk ka përveç Allahut dhe se asnjë derë tjetër nuk hapet kur Ai nuk e hap.
Në ato net, robi qëndron gjatë në sexhde. Trupi i tij përkulet në tokë, ndërsa zemra e tij i drejtohet Allahut me përulje dhe shpresë.
Ai flet jo sepse Allahu nuk e di gjendjen e tij, por sepse robëria e vërtetë është ta shfaqësh varfërinë tënde para Atij që është i Pasuri absolut. Allahu i di fshehtësitë e zemrave, sheh çfarë fshihet në to, di çfarë është nën dhe dhe çfarë mbulohet nga errësira e natës, por Ai do që robi të vijë, të flasë, të lutet dhe të dorëzohet.
Në sexhde, robi ia tregon Allahut gjithçka që e rëndon: frikën që nuk ia shpreh askujt, padrejtësinë që e ka lodhur, dobësinë që e ka përkulur dhe mëkatin që e ka turpëruar. Ai flet me zë të ulët, por me zemër të ndezur. Lotët rrjedhin pa zhurmë, sepse ajo është bisedë e sinqertë mes robit dhe Zotit të tij, pa ndërmjetës dhe pa dëshmitarë.
Këto çaste janë vendi ku shembet mbështetja e rreme te vetja dhe lind varësia e vërtetë ndaj Allahut. Aty robi pranon se është i dobët, se është nevojtar dhe se nuk ka forcë, mençuri dhe dalje pa ndihmën e Zotit të tij. Ai kupton se shumë nga ajo që e ka lënduar, shumë nga humbjet dhe ngushticat që ka përjetuar, janë pjesë e një urtësie që ai nuk e sheh, por që Allahu e ka caktuar me drejtësi dhe mëshirë.
Në këto net vetmie, robi e ndien se Allahu është Ai që shpëton kur rrugët ngushtohen, Ai që udhëzon kur mundësitë mbyllen dhe Ai që thirret në çdo fatkeqësi. Zemra i drejtohet Atij me shpresë të plotë, sepse e di se çdo i gjallë mbështetet në mëshirën e Tij dhe se askush nuk largohet prej Tij i zhgënjyer.
Sa e pastër është ajo vetmi ku nuk ka shtirje, nuk ka justifikime dhe nuk ka fjalë të zbukuruara. Vetëm zemra që flet dhe Zoti që dëgjon. Në ato çaste, robi e kupton se Allahu është më afër se çdo njeri, më i dhembshur se çdo mik dhe më i drejtë se çdo gjykim njerëzor.
Kur robi ngrihet nga sexhdja, problemet e tij mund të jenë ende aty, por zemra e tij nuk është më e njëjta. Ajo është më e lehtë, më e qetë dhe më e lidhur me Allahun. Ai e di se lutja e tij nuk ka shkuar dëm dhe se çdo fjalë e thënë me sinqeritet ka vendin e vet te Zoti i botëve. Nëse Allahu fal, kjo është nga mirësia dhe bujaria e Tij, dhe nëse ndëshkon, Ai është Gjykatësi i drejtë.
Kjo është qetësia që nuk blihet me asgjë tjetër: qetësia e një zemre që është dorëzuar plotësisht te Allahu.

/Hoxhë Fitim Gërguri/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit