Trump ka paralajmëruar me dërgimin e ushtrisë për rivendosjen e rendit
Tensionet vazhdojnë të rriten në Mineapolis të SHBA, ndërsa një oficer qëlloi dhe plagosi së fundmi një emigrant venezuelian. Ky incident pason vrasjen e aktivistes Rene Gud, duke e çuar qytetin në pragun e luftës civile.
Përshkallëzimi i dhunës e ka shtyrë Donald Trumpin të kërcënojë me aktivizimin e Aktit të Kryengritjes të vitit 1807, një ligj që do të lejonte federalizimin e Gardës Kombëtare dhe përdorimin e ushtrisë kundër qytetarëve amerikanë.
Ndërsa liderët politikë debatojnë për ligjshmërinë e ndërhyrjes federale, pasojat në terren janë tragjike. Sipas një dëshmie rrëqethëse për The New York Times, Shon dhe Destini Xhekson treguan se si u gjendën në mes të zjarrit të kryqëzuar.
Teksa po ktheheshin në shtëpi nga një lojë basketbolli, makina e tyre u rrethua nga agjentët e ICE-së që po përlesheshin me protestuesit. Megjithëse çifti u bëri thirrje agjentëve se po përpiqeshin të largoheshin, forcat federale hodhën granata zhurmuese dhe gaz lotsjellës direkt drejt automjetit të tyre.
Nga ky sulm, rrezikon jetën familja me 6 fëmijë, më i vogli prej të cilëve vetëm 6 muajsh. Një bombul gazi shpërtheu poshtë makinës, duke aktivizuar airbag-ët dhe duke bllokuar familjen brenda një reje tymi mbytës.
“Foshnja ime ishte plotësisht pa ndjenja, nuk merrte frymë”- tha Destini Xhekson, e cila u detyrua t’i kryente CPR foshnjës në mes të rrugës, ndërsa kalimtarët nxitonin t’u lyenin fëmijët e tjerë me qumësht për t’u neutralizuar djegien e syve.
Dy nga fëmijët, të cilët vuajnë nga astma e rëndë, pësuan kriza respiratore. Ky incident ka nxitur akuza të reja për “pushtim federal” dhe përdorim të tepruar të forcës. Ndërsa Trump lavdëron “patriotët e ICE”në rrjetet sociale, rasti i familjes Xhekson është bërë simboli i tmerrit që po përjetojnë qytetarët e thjeshtë në Mineapolis gjatë këtij janari të përgjakshëm./tesheshi/
