S’mund të ngjitesh në pushtet duke bërë pakt me “Djallin”!

Më të lexuarat

Iranianët e ka bërë të qartë: liria nuk mund të vijë përmes marrëveshjeve të errëta në Tel Aviv

 

Protestat e janarit në Iran, kanë shënuar një pikë kthese të dhunshme dhe dramatike në përpjekjet e popullit për liri. Ndërsa sheshet e Teheranit dhe rrugët e Tabrizit, janë mbushur me demonstrues që sfidojnë hapur autoritetet, në prapaskenë po zhvillohet një betejë tjetër për trashëgiminë e pushtetit.

Në këtë kontekst, lëvizjet e Reza Pahlavit, djalit të Shahut të ndjerë, po shihen me një sy gjithnjë e më kritik. Ky skepticizëm buron kryesisht nga vizita e tij e vitit 2023 në Tel Aviv, një lëvizje që shumë iranianë e interpretojnë si një “pakt me Djallin” për të siguruar fronin me çdo kusht.

Synimi i Izraelit: Një Iran i dobët dhe i nënshtruar

Për shumë vëzhgues, afrimi i Izraelit me familjen Pahlavi nuk është një akt mbështetjeje për demokracinë, por një strategji gjeopolitike për të siguruar një Iran të dobët dhe të korruptuar. Izraeli ka nostalgji për epokën e Shahut të vjetër, kur Irani shërbente si një satelit i bindur i interesave të huaja në rajon.

Synimi i Tel Avivit është rikthimi i një regjimi që nuk sfidon supremacinë e tij, duke preferuar një diktaturë mbretërore të kontrolluar përpara një Irani sovran që mund të jetë një fuqi konkurruese rajonale.

Dyshimet e Trump

Në këtë lojë komplekse, mbetet e lëkundur mbështetja nga Uashingtoni. Donald Trump ka shprehur hapur dyshimet e tij lidhur me dhënien e një mandati politik djalit të Shahut. Pavarësisht retorikës kundër regjimit aktual, Trump e sheh Pahlavin si një figurë që i mungon “muskuli” politik brenda vendit.

Për Trumpin, investimi te një lider që mbështetet vetëm te lobi i huaj dhe te nostalgjia e diasporës, është një rrezik strategjik që nuk premton stabilitet për interesat amerikane “Amerika e Para”.

Opozita e përçarë: Një lëvizje në rrezik

Ajo që e vë më shumë në pikëpyetje fatin e lëvizjes së Pahlavit është gjendja e mjerueshme e opozitës. Edhe pse protestat e këtij fillimviti kanë treguar një zemërim të madh kundër regjimit, opozita brenda vendit mbetet thellësisht e përçarë. Grupet liberale, lëvizjet rinore dhe pakicat etnike si kurdët dhe azerët nuk kanë një zë të përbashkët. Shumë prej këtyre grupeve e shohin djalin e Shahut si një simbol të autoritarizmit të vjetër dhe refuzojnë t’i binden një udhëheqësi që kërkon legjitimitet nga kryeqytetet e huaja. Kjo thyerje e brendshme e bën të pamundur krijimin e një alternative të besueshme që mund të bashkojë gjithë iranianët.

Refuzimi i “shpëtimit” nga jashtë

Populli iranian, që po përballet me plumbat, e ka bërë të qartë: liria nuk mund të vijë përmes marrëveshjeve të errëta në Tel Aviv. Përpjekja e Pahlavit për t’u ngjitur në pushtet duke bërë pakt me ata që synojnë dobësimin e Iranit shihet si një tradhti ndaj aspiratave kombëtare.

Tek e fundit, historia na mëson se pushteti që fitohet përmes “paktit me Djallin”, përfundon duke shkatërruar sovranitetin e atyre që pretendon se po mbron./tesheshi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit