Carvajal, ish-aleat i ngushtë i Hugo Chavez dhe Madurros, u deklarua fajtor vitin e kaluar në SHBA për trafik droge dhe narco-terrorizëm, duke pranuar kontrabandimin e kokainës drejt qyteteve amerikane.
Ish-shefi i inteligjencës ushtarake të Venezuelës, Hugo Armando Carvajal Barrios, mund të bëhet një dëshmitar kyç në çështjen penale federale kundër udhëheqësit të kapur të Venezuelës, Nicolas Maduro, raportoi USA Today të martën.
Carvajal, dikur një aleat i ngushtë i presidentit të ndjerë venezuelian Hugo Chavez dhe i Maduros, u deklarua fajtor vitin e kaluar në ShBA për akuza për trafik droge dhe narco-terrorizëm, duke pranuar rolin e tij në kontrabandimin e kokainës drejt qyteteve amerikane.
Pranimi i papritur i fajësisë erdhi pas dy vitesh mohimi të akuzave dhe nxiti spekulime se ai mund të bashkëpunojë me autoritetet amerikane në këmbim të një dënimi më të lehtë, duke ofruar ndoshta informacion mbi qeverinë e Maduros.
Sipas dokumenteve të Departamentit Amerikan të Drejtësisë dhe Administratës së Luftës kundër Drogës (DEA), rrjeti kriminal që Carvajal ndihmoi të drejtonte nën regjimet e Maduros dhe Chavezit u përdor nga administrata Trump për të justifikuar operacionin amerikan që çoi në kapjen e Maduros dhe bashkëshortes së tij në orët e para të 3 janarit.
Më 2 dhjetor, Carvajal i shkroi një letër Trumpit, duke thënë se dëshiron të bashkëpunojë në hetime “për të shlyer fajin duke thënë të gjithë të vërtetën, në mënyrë që Shtetet e Bashkuara të mbrohen nga rreziqet që kam parë për kaq shumë vite”.
Në letrën e tij, të publikuar nga The Dallas Express, Carvajal pretendon se regjimi i Madurros e ka përdorur kokainën si armë dhe ka eksportuar rrjete kriminale të dhunshme, përfshirë Tren de Aragua, drejt ShBA-së.
Jack Kelly, ish-agjent mbikëqyrës i DEA-s, i tha medias se dëshmia e Carvajalit kundër Maduros “do të ishte e krahasueshme me Sammy the Bull që dëshmon kundër John Gotti-t”.
Avokati i Carvajalit, Robert Feitel, i tha USA Today se nuk mund të diskutojë asnjë aspekt të çështjes kundër Maduros, pasi klienti i tij mund të shërbejë si dëshmitar kundër udhëheqësit të kapur venezuelian.
Carvajal dhe avokati i tij duhet të bindin prokurorët e Departamentit të Drejtësisë se dëshmia e tij është mjaftueshëm e fortë për të tejkaluar rrezikun e një kundër-pyetjeje të ashpër nga mbrojtja e Maduros, për shkak të rolit të vetë Carvajalit në krime, tha për median ish-agjenti i lartë i DEA-s, Sandalio Gonzalez.
“Vetëm sepse ai dëshiron të bashkëpunojë nuk do të thotë se ka të drejtë ta bëjë këtë”, tha Gonzalez, i cili ndërtoi çështjet kundër Maduros dhe Carvajalit dhe u largua nga DEA në dhjetor 2024.
Ai theksoi se avokati i Carvajalit duhet të paraqesë “vlerë të konsiderueshme provuese”, së bashku me pranime të plota dhe të detajuara të gjithë veprimtarisë kriminale të klientit të tij.
Departamenti i Drejtësisë duhet gjithashtu të vlerësojë nëse dëshmia që Carvajal mund të ofrojë “do të ishte provë kritike që nuk mund të sigurohej nga një dëshmitar tjetër tashmë nën marrëveshje bashkëpunimi”.
Më 3 janar, forcat speciale amerikane kapën presidentin venezuelian Nicolas Maduro në një operacion nate në Karakas, duke e marrë në paraburgim amerikan mes sulmeve ajrore ndaj objektivave ushtarake.
Operacioni, i autorizuar nga Presidenti Donald Trump, rridhte nga aktakuza federale prej kohësh që e akuzojnë Maduron për narco-terrorizëm, trafik droge dhe korrupsion.
Më 5 janar, Maduro u paraqit në një gjykatë federale në Nju Jork me pranga dhe me uniformë portokalli, ku u deklarua i pafajshëm për akuzat.
