Fakti që fotot dhe videot e shkurtra i tërheqin më shumë njerëzit, sesa leximi i teksteve, tregon se shumica e njerëzve janë sipërfaqësorë dhe nuk duan të thellohen në lexime, e për rrjedhojë, as në kuptime.
Fjala e shkruar zotëron mundësinë të shprehë detajet më të imta të brendësisë së shpirtit dhe të shpalosë të vërtetat më të komplikuara të botës, sepse fjala ka fuqi hyjnore.
Zoti krijon përmes fjalës dhe e kumton vullnetin e Tij te krijesat e përgjegjshme, po përmes fjalës.
Të folurit dhe shkrimi i fjalës janë nga mirësitë më madhore të Krijuesit për njerëzit. A nuk e ke parë se si fjalët e para të Kuranit i kujtojnë njeriut pikërisht këtë mirësi?
Madje, një nga dallimet e rëndësishme në mes besimit monoteist dhe politeizmit, i të gjitha formave, është pikërisht te kumti përmes fjalës. I pari i jep rëndësi fjalës dhe shpalos mungesë të imazhit, ndërsa i dyti është i mbytur në figura frymorësh.
Edhe vetë fjala “idhujtari”, e prejardhur nga greqishtja, do të thotë etimologjikisht “adhurim i imazheve”. Dhe shirku nisi pikërisht me nderimin e imazheve.
Kështu pra, mungesa e leximit, cektësia e të kuptuarit, idhujtaria dhe mbizotërimi i kulturës së imazhit, janë bashkëshoqërues të njëri-tjetrit.
Hoxhë Justinian Topulli (Allahu e ruajttë!)
