Infermieres Tasnim Merwan al-Hams, 24 vjeçe, e cila u rrëmbye më 2 tetor nga një njësi speciale e ushtrisë izraelite teksa udhëtonte drejt punës në një pikë mjekësore në Khan Junis, i është kthyer liria pas ditësh të ankthit dhe pasigurisë.
Tasnimi është vajza e dr. Merwan al-Hams, drejtor i spitaleve fushore në Rripin e Gazës, i cili vazhdon të jetë i zhdukur në burgjet e Izraelit që prej rrëmbimit të tij muaj më parë.
Sipas familjes, rrëmbimi i Tasnimit u krye fillimisht nga elementë të milicisë së bashkëpunëtorit Yaser Abu Shabab, të cilët dyshohet se e dorëzuan atë më pas forcave izraelite. Familja thekson se lirimi i saj nuk e zbeh rëndësinë e krimit të kryer.
Në një deklaratë publike, familja al-Hams u shpreh se:
“Ky akt i shëmtuar i shtohet dosjes së zezë të okupatorit dhe bashkëpunëtorëve të tij, dhe vjen si vazhdimësi e rrëmbimit të babait të saj, dr. Merwan Shafiq al-Hams, i cili mbetet i zhdukur.”
Familja kërkon lirimin e menjëhershëm të dr. Merwan al-Hams dhe hetim ndërkombëtar për rrjetet e bashkëpunimit që ndihmojnë forcat izraelite në rrëmbimin e civilëve.
