Dituria në bashkëkohoren tonë cenohet nga një problematikë, e cila gjendet shpesh në qarqet akademike, e ajo është arroganca shkencore. Arroganca shkencore paraqitet në të gjitha format e saj, si:
- nxitimi për të nxjerrë vendime fetare/fetva dhe kërkimi i meritave,
- të folurit për çështje të mëdha nëpër tubime e forume,
- qasja kundërshtuese ndaj çështjeve, kapja pas mendimit të vet dhe kundërshtimi i çështjeve konsensuale,
- dëshira për bajraktarizëm, për famë, për lavdërime, për lajka dhe llajka (likes),
- refuzimi për ta pranuar të vërtetën,
- përçmimi i të tjerëve,
- kritikimi i çdo mendimi tjetër dhe konfrontimi me oponentët,
- konsiderimi i vetes si përtëritës i kësaj feje dhe si një muxhtehid i kualifikuar për të ofruar justifikime të pavarura sheriatike,
- gjykimi i njerëzve si heretikë dhe jashtë kufijve të ligjit islam,
- pastaj mjerë e mjerë për ata që nuk pajtohen me të, sepse ata i trajton si të shkatërruar, si ata mbi të cilët ka zbritur zemërimi i Allahut, apo si të devijuar.
Nëse arroganca i kap kokën një të vetmashtruari,
Ai e imagjinon shpatullën e tij si një krah që fluturon.
Arroganca është shkak i privimit nga suksesi, i mungesës së bukurisë dhe shkëlqimit të dijes si dhe përfitimit nga ajo. Arroganca shkakton rënien intelektuale, shkencore dhe metodologjike. Pengon në arritjen e objektivave dhe ta humbë rrugën në oborr, duke pretenduar arroganti se po merret me infrastrukturën e dijes.
Ata mendojnë se po bëjnë punë të mirë, por në realitet po shkatërrojnë projektet e ummetit, po rrënojnë themelet e fesë, po baltosin unitetin e ummetit dhe po dobësojnë themelet e tij.
Ndërkohë, të tjerët janë ata që po angazhohen me ndërtimin dhe bashkimin e ummetit, duke e çuar përpara dhe duke i përgatitur njerëzit për të përmbushur detyrat e tyre ndaj fesë dhe popullit të tyre.
Kush ndihet i sigurt nga fatkeqësitë, për shkak të vetmashtrimit me mendimin e tij,
Fatkeqësitë do ta rrethojnë kah ai nuk e pret.
Arsyet kryesore për këtë gjendje janë:
- dobësia e edukimit moral dhe shpirtëror, i cili është lënë pas dore në shumë institucione arsimore dhe forume akademike,
- vendosja e liderëve jokompetentë në krye të institucioneve për shkencë dhe për predikim të Islamit,
- lavdërimet dhe lajkat e tepërta, etj.
Prandaj, vëmendja ndaj zhvillimit moral dhe shpirtëror është thelbësore. Allahu i Plotfuqishëm e përmendi atë në dy vende në Librin e Tij, duke filluar me zhvillimin moral përpara arsimimit në thirrjen e profetëve. Gjithashtu, i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, kërkoi mbrojtje te Allahu nga dija që nuk sjell dobi.
O brez i dijes!
Pajisuni me modesti teorike dhe praktike në të gjitha format e saj të ndritshme dhe të bukura, dhe kini kujdes nga arroganca intelektuale në të gjitha format e saj të mjerueshme, dobësuese dhe të shëmtuara. Jini shembuj të shquar të përulësisë intelektuale.
Allahu na dhëntë përulësi e modesti dhe na mbroftë nga arroganca dhe rreziqet e saj!
Fehd El-Ammari, gjykatës i Apelit në Meke
