Falënderimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe bekimet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij fisnike, shokët e tij të ndershëm dhe mbi të gjithë ata që ecin në gjurmët e tyre deri në Ditën e Gjykimit.
Në çdo kohë ka pasur njerëz që nuk u kënaqën vetëm duke mëkatuar, por shkuan më larg: u tallën me fenë e Allahut, përqeshën shokët e Muhamedit ﷺ, mohuan ekzistimin e shejtanit, u tallën me xhenetin e xhehenemin, përqeshën sunetin dhe e quajtën “të vjetër”, mohuan farzet dhe lozën me namazin duke e kthyer në humor, hodhën shamijat, legalizuan të ndaluarën, iu kthyen muzikës pas pendimit dhe shkuan deri aty sa tentuan të futen në programe degjeneruese të imoralitetit (Big Brother)… e gjithë kjo në emër të “emancipimit”, “modernizmit” dhe “çlirimit nga dogmat”.
Por kush punon prapa këtyre?
Për çfarë projekti sakrifikojnë moralin e tyre?
E në dobi të kujt bëhen të gjitha këto tallje me fenë e pastër të Allahut?
Historia po e përsërit veten.
Ashtu si hipokritët e Medinës që thoshin: “Besoni në Muhamedin në mëngjes dhe mohoni në mbrëmje, që t’i lëkundni besimtarët”, sot dalin njerëz pa fytyrë, me fjalor të ëmbël e me zemra të kalbura dhe thonë:
“Ne e duam Pejgamberin… por sunetin nuk e pranojmë.”
“Ne e duam fenë… por pesë namaze janë shumë.”
“Ne e respektojmë Islamin… por xheneti e xhehenemi janë metafora.”
“Ne e duam moralin… por degjenerimin e legalizojmë.”
“Ne e duam hallallin, mirëpo harami është çështje personale.”
“Ne i duam sahabët, por shumicën e tyre i akuzojmë dhe i etiketojmë.”
“Ne e duam Kuranin, por atë nuk e praktikojmë; madje e shtrembërojmë dhe e fajësojmë.”
“Ne e duam ahiretin, mirëpo kemi dilema nëse është i vërtetë apo jo.”
Allahu nuk i fshihet asgjë. Ai ka thënë për ta:
“Ka prej njerëzve që thonë: besojmë në Allahun dhe Ditën e Fundit, por në të vërtetë ata nuk besojnë. Ata përpiqen ta mashtrojnë Allahun dhe besimtarët, por nuk mashtrojnë askënd tjetër përveç vetes, edhe pse nuk e kuptojnë.”
(el-Bekare, 8–9)
Këta janë njerëzit që sot tallen me normat e Islamit dhe nesër kërkojnë ndjesë me justifikime qesharake në emër të Pejgamberit ﷺ ose në emër të Ehli Bejtit, duke u maskuar si “të ditur”, “të moderuar” apo “të ndriçuar”.
Por Allahu i quan thjesht: gënjeshtarë, hipokritë dhe tallës.
Dhe historia dëshmon qartë:
Ata që u tallën me fenë e Allahut – përfunduan të poshtëruar
– Populli i Nuhit u mbyt nga uji, ai me të cilin talleshin, ndërsa ai ndërtonte anijen e shpëtimit.
– Adi u shkatërruan nga era, megjithëse e quanin veten të pamposhtur e të fuqishëm.
– Themudi u godit nga krisma që e tallnin.
– Hipokritët e Medinës mbetën njolla të zeza në histori; as emër e as nder s’u mbeti.
– Tallësit e sahabëve dhe të sunetit në çdo epokë përfunduan në cepin e harruar të shoqërisë, duke mos lënë pas as dije, as vepra, as nder.
Ndërsa ata që rezistuan – Allahu i ngriti
– Sahabët u bënë yje që ndriçojnë botën.
– Imamët e sunetit u nderuan në çdo kohë.
– Të sinqertët, edhe në pakicë, e bartën fenë, e ruajtën dhe e përhapën derisa Allahu i bëri simbol të udhëzimit.
Mos u mashtroni nga këto fytyra të shitura
Ata dalin sot me forma të ndryshme:
– herë me humor,
– herë me filozofi boshe,
– herë me pretendim të dijes,
– herë me kostum të emancipimit,
– herë me pseudodobësi për Ehli Bejtin,
– herë duke përdorur emrin e Pejgamberit ﷺ.
Por qëllimi është një:
ta shtrembërojnë fenë, ta zbresin nga zemrat dhe ta kthejnë në lojë e argëtim.
Dija, zemra dhe historia e kanë zbuluar gjithmonë llojin e tyre.
Mesazh për besimtarët
Mos u shqetësoni.
Mos u lëkundni.
Mos u mashtroni as nga numri i ndjekësve të tyre, as nga zhurma e tyre, as nga skenat e tyre në ekrane.
Drita e Allahut nuk shuhet.
Dhe ata që u tallën me fenë e Tij i zhduki koha, i fshiu historia, i poshtëroi realiteti dhe i la shembull për ata që vijnë pas.
Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të sinqertët që qëndrojnë në fe, e që nuk u lëkunden zemrat as kur tallen, as kur përqeshen, as kur fyehen.
Allahu na bëftë nga ata. Amin.
Hoxhë Sadullah Bajrami
