Gjeografia e Shamit
Para se të njihemi me veçoritë e Shamit në Islam, është e nevojshme për ne që banojmë larg kësaj zone, të marrim disa njohuri të përgjithshme rreth saj si: kufijtë, ndarjet, relievi, banorët dhe sunduesit e tij gjatë historisë, me qëllim që kuptimi i atyre veçorive të bëhet më i lehtë.
Kufijtë e Shamit
Sham, quhet ajo pjesë e Azisë, e cila laget nga Deti Mesdhe në anën lindore të tij. El-Istakhrij dhe Ibn Haukal, dy gjeografë të njohur në historinë islame – Allahu i mëshiroftë – në lidhje me kufijtë e Shamit thonë:
“Shami, në perëndim të tij, ka Detin e Romakëve (sot Deti Mesdhe).
Në lindje të tij është shkretëtira e Shamit nga Ejla (sot Gjiri i Akabesë në Jordani) deri në lumin Eufrat, i cili vazhdon deri te vendet e romakëve (dmth: Turqia sot).
Në veri të tij janë vendet e romakëve (dmth: Turqia sot).
Në jug të tij është Egjipti dhe shkretëtira, ku kanë humbur Beni Israilët (dmth: Shkretëtira e Sinait). Pika më e largët nga kjo anë është Rafehu¹.”²
Mbaron këtu fjala e tyre – Allahu i mëshiroftë.
Sipas këtij përshkrimi mund të themi se Shami në të gjitha anët e tij ka kufij natyrorë dhe ato janë:
1. Kufiri perëndimor
Kufiri perëndimor është Deti Mesdhe. Ky det në histori njihet edhe si Deti i Romakëve, sepse në kohën e perandorisë Romake të gjitha brigjet e tij sundoheshin prej tyre.
2. Kufiri lindor
Kufiri lindor është shkretëtira e Shamit. Kjo shkretëtirë sipas përshkrimit i përket Shamit dhe është kufiri i Shamit me Gadishullin Arabik.
Ajo zgjatet nga gjiri i Ejles në Detin e Kuq, i cili sot njihet me emrin gjiri i Akabesë deri në lumin Eufrat, ndërsa nga ana e Gadishullit Arabik shtrihet deri te malet e Tajit, siç thotë gjeografi tjetër i njohur Jakut el-Hameuij – Allahu e mëshiroftë.
Jakut El-Hameuij, kur tregon për gjerësinë e Shamit, thotë:
“Gjerësia e tij është nga dy malet e Tajit (sot qyteti Hail në Arabinë Saudite) deri te deti i Romakëve.”³
Ky përshkrim do të thotë se shkretëtira e Shamit zgjatet deri te vendbanimet e fisit të vjetër arab Taj, duke përfshirë kështu: Tebukun, Tejmanë, Deumet El-Xhendel etj., zona këto të njohura në shkretëtirën e Shamit dhe që sot janë pjesë e Arabisë Saudite.
3. Kufiri verilindor
Kufiri verilindor është i gjithë lumi Eufrat. Arabët thonë:
“Çfarë është pas Eufratit është e Shamit.”⁴
Sipas këtij përshkrimi, sot një pjesë e Irakut, e cila është përtej këtij lumi, është e Shamit, dhe një pjesë e Sirisë, e cila është nga ana tjetër e këtij lumi, nuk është e Shamit.
4. Kufiri verior
Kufiri verior është “vendbanimet e romakëve” në Azinë e Vogël, e cila sot quhet Turqi.
Kjo zonë është quajtur “vendbanimet e romakëve”, sepse ajo në atë kohë banohej nga romakët bizantinë me qendër Kostandinopojën.
El-Istakhrij, duke sqaruar më tej kufijtë veriorë, thotë:
“Nga ana e romakëve janë zonat kufitare: Malatja, Hadath, Mar’ash, Harunija, Zarba, Masisa, Adana dhe Tarsusi.”⁵
Mbaron këtu fjala e tij – Allahu e mëshiroftë.
Përmendja e këtyre vendeve do të thotë se gjiri i Iskenderonës me zonat përreth nga Tarsusi deri në Eufrat janë pjesë e Shamit, të cilat edhe nga ana gjeografike janë zgjatim i kësaj ultësire bregdetare. Këto vende sot – siç u tha edhe më lart – i përkasin Turqisë.
5. Kufiri jugor
Kufiri jugor i Shamit është Egjipti dhe vija ndarëse mes tyre është shkretëtira e Sinait, në të cilën kanë humbur Beni Israilët.
Shkretëtira e Sinait shtrihet nga Rafehu deri në gjirin e Ejlës dhe ajo është pjesë e Egjiptit, siç është edhe sot e kësaj dite.
Atëherë, bazuar në këto të dhëna që japin këta gjeografë, mund të themi se Shami me ndarjet e sotshme territoriale përbëhet nga:
Siria (me përjashtim të atyre zonave të saj që janë përtej Eufratit), Palestina, Libani, Jordania, një pjesë e vogël e Irakut, e cila është brenda lumit Eufrat, pjesa veriore e Arabisë Saudite nga qyteti Hail në drejtim të Detit Mesdhe dhe një pjesë e vogël e Turqisë në kufi me Sirinë nga Tarsusi deri në Eufrat.
Burimi: “SHÁMI dhe veçoritë e tij në Islam”
DR. ABDULLAH NABOLLI
-
Rafehu është qytet bregdetar i Egjiptit në Detin Mesdhe, në shkretëtirën e Sinait, në kufi me rripin e Gazës, i cili edhe sot njihet me të njëjtin emër.
-
Shih librin El-Mesalik uel-Memalik, f. 55 dhe librin Surat El-Erd, 1/165.
-
Shih librin Muxhem El-Buldan të Jakut El-Hameuij, 3/312.
-
Shih librin El-Mesalik uel-Memalik, f. 55.
-
Shih librin e autorit me titull El-Mesalik uel-Memalik, f. 43.
