Udhëheqësi venezuelas paralajmëron për një “komplot” amerikan në mes të përshkallëzimit të tensioneve në Karaibe.
Presidenti i Venezuelës deklaroi të mërkurën se vendi i tij ka vendosur në territorin e vet 5.000 raketa ruse kundërajrore “Igla-S”, në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton një veprim të mundshëm ushtarak brenda Venezuelës.
“Çdo forcë ushtarake në botë e njeh fuqinë e ‘Igla-S’, dhe Venezuela ka jo më pak se 5.000 të tilla”, tha Nicolas Maduro gjatë një fjalimi televiziv drejtuar trupave ushtarake, duke e quajtur këtë armë jetike për mbrojtjen e sovranitetit kombëtar.
Deklarata vjen pasi Trump konfirmoi më herët gjatë javës se kishte autorizuar CIA-n të zhvillonte operacione në Venezuelë. Uashingtoni ka vendosur forca detare pranë Venezuelës, duke e justifikuar këtë si pjesë të operacioneve kundër karteleve të drogës, ndërsa Karakasi akuzon ShBA-në se po kërkon ndryshim regjimi nën petkun e “luftës kundër narkotikëve”.
Maduro akuzoi Uashingtonin se po orkestron një “komplot të hapur” për destabilizimin e qeverisë së tij.
Më herët, ai kishte deklaruar se Venezuela kishte mobilizuar “miliona” pjesëtarë të milicisë, sipas një raporti të CNN-it.
Sistemi “Igla-S”, i ngjashëm me raketën amerikane Stinger, mund të synojë avionë që fluturojnë ulët, dronë dhe helikopterë në një distancë deri në gjashtë kilometra.
