Zoti njihet vetëm përmes rrugës që Ai ka shpallur – Harith Selimi

Më të lexuarat

Dëshira për ta njohur Zotin, për të arritur tek Ai, është një instinkt natyror që e shoqëron njeriun që nga lindja deri në vdekje, prandaj edhe shumë njerëz i përvishen aventurës për ta njohur Zotin në mënyra të ndryshme, ku disa prej tyre, sidomos disa më intelektualë, apo ndryshe thënë më të lexuar, tentojnë ta njohin Zotin apo edhe ta adhurojnë Zotin në mënyrën e tyre të veçantë, duke besuar se rrugët për tek Zoti janë të shumta…

Është e vërtetë që shenjat që tregojnë për tek Zoti janë të shumta, pasi çdo gjë që ka krijuar All-llahu dëshmon për ekzistencën e Tij, por All-llahu në Kur’an po na porosit kështu:

﴿وَلَيسَ البِرُّ بِأَن تَأتُوا البُيوتَ مِن ظُهورِها وَلكِنَّ البِرَّ مَنِ اتَّقى وَأتُوا البُيوتَ مِن أَبوابِها وَاتَّقُوا اللَّهَ لَعَلَّكُم تُفلِحونَ﴾

(Dhe nuk është mirësi të hyni nga mbrapa në shtëpi, por është mirësi kush druhet, e hyni në shtëpi nga dyert e tyre dhe druajuni All-llahut që të shpëtoni.)
– Bekare, 189

Edhe pse në kuptim konkret ky ajet sjell dispozitat e veta reale, në të njëjtën kohë fitojmë një mesazh shumë të thellë dhe të urtë, që kush do të futet në shtëpinë e quajtur “Njohja e Zotit”, atëherë ai duhet të hyjë nga dera e saj, dhe kjo është rruga dhe mënyra që Zoti e dëshiron, pasi ai që futet nga dera futet si nikoqir, apo si një mysafir i mirëseardhur, ndërsa ai që futet nga mbrapa apo për dritare (ku edhe pse u fut) ai futet si një hajn, apo më e pakta që mund të jetë, futet si një i dyshuar.

Prandaj All-llahu na la dy dyer të mëdha të hapura krah për krah: Kur’anin dhe Sunnetin, nga të cilat njeriu, në këtë rrugëtim për ta përmbushur veten, mund të hyjë ashtu siç i ka hije, ku edhe na e shtroi këtë rrugë me qilim të kuq, të cilën e quajti Sheriat, që gjuhësisht do të thotë rruga që të dërgon tek uji (jeta).

All-llahu thotë në Kur’an:
﴿ثُمَّ جَعَلناكَ عَلى شَريعَةٍ مِنَ الأَمرِ فَاتَّبِعها وَلا تَتَّبِع أَهواءَ الَّذينَ لا يَعلَمونَ﴾

(E më pas të vendosëm në një rrugë (sheriat) të drejtë të fesë, prandaj pasoje atë dhe mos i paso ëndjet e atyre që nuk dinë.)
– El-Xhathije, 18

Prandaj, kushdo që dëshiron të futet në këtë shtëpi të quajtur “Njohja e Zotit”, le të vijë nga kjo rrugë e drejtë e fesë dhe le të hyjë nga dyert e saj kokëlartë dhe i nderuar, e të mos mundohet të hyjë nga dritaret me hamendjen e tij, pasi që tek All-llahu llogaritet vetëm se një i paditur!

All-llahu na udhëzoftë të gjithëve dhe na forcoftë në këtë rrugë.

Hoxhë Hadith Selimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit