Njerëzimi, dhe sidomos Evropa, përfitoi shumë nga përparimi dhe qytetërimi i muslimanëve në Andaluzinë islame

Më të lexuarat

Politika e tolerancës islame pati ndikim të madh në zemrat e jomyslimanëve nga “ahludh-dhimmeh” (hebrejtë dhe të krishterët). Shumë prej “mozárabëve” spanjollë iu përkushtuan mësimit të gjuhës arabe dhe u shtua në masë lëvizja e përkthimit nga gjuhë të ndryshme në arabisht.

Ndër përkthyesit më të njohur të Toledos ishte Gerardo i Kremonës, i quajtur edhe “Toletanus”, i cili kishte ardhur nga Italia në Toledo më 545 h/1150 m, dhe atij i atribuohet përkthimi afërsisht i njëqind librave. Po ashtu, Alfonso X, mbreti i Kastiljes, themeloi disa institucione të arsimit të lartë dhe nxiti përkthimin nga arabishtja në latinisht, e herë-herë edhe në gjuhën kastiljane.

Studiuesi George Sarton thotë:
“Muslimanët – gjenitë e Lindjes – arritën mrekullitë më të mëdha në Mesjetë; u shkruan veprat më të çmuara, më origjinale dhe më të pasura me përmbajtje në gjuhën arabe. Nga mesi i shekullit të 8-të deri në fund të shekullit të 11-të, arabishtja ishte gjuha shkencore e përparimit për mbarë njerëzimin. Çdo njeri që dëshironte të njihej me kulturën e kohës dhe me zhvillimet më të fundit, duhej të mësonte arabishten. Dhe këtë e bënë shumë prej atyre që nuk e kishin gjuhë amtare. Nuk kemi nevojë të shtojmë se arritjet shkencore të muslimanëve në matematikë, fizikë, astronomi, kimi, botanikë, mjekësi dhe gjeografi janë të pakrahasueshme.”

Po kështu, John Brandtrand Johnson shkruan:
“Kordoba, që në shekullin e 10-të i tejkaloi të gjitha qytetet e Evropës për nga qytetërimi, ishte vërtet qendra e admiruese e botës, ashtu siç ishte Venecia për sytë e popujve të Ballkanit. Udhëtarët që vinin nga veriu dëgjonin për këtë qytet me një lloj përulësie dhe habie: një qytet që kishte shtatëdhjetë biblioteka dhe nëntëqind hamame publike. Dhe nëse ndonjëherë mbretërit e Leonit, Navarrës apo Barcelonës kishin nevojë për kirurgë, inxhinierë, arkitektë, rrobaqepës apo muzikantë – ata drejtoheshin vetëm në Kordobë.”

Studiuesja gjermane Sigrid Hunke shkruan:
“Pishtarin e qytetërimit arab e bartën përmes Andaluzisë mijëra robër evropianë që u kthyen nga Kordoba, Saragosa dhe qendra të tjera kulturore andaluziane. Po ashtu, tregtarët e Leonit, Gjenovës, Venedikut dhe Nurembergut shërbyen si ndërmjetës mes qyteteve evropiane dhe atyre andaluziane. Miliona pelegrinë të krishterë evropianë që shkonin drejt Santjago de Compostela-s u takuan me tregtarë arabë dhe pelegrinë të krishterë nga veriu i Andaluzisë. Edhe rrjedha e kalorësve, tregtarëve dhe klerikëve që vinin çdo vit nga Evropa në Spanjë, ndikoi në përhapjen e themeleve të qytetërimit andaluzian në vendet e tyre. Hebrenjtë, si tregtarë, mjekë dhe dijetarë, bartën kulturën arabe në Perëndim dhe morën pjesë në përkthimet e Toledos, duke përcjellë nga arabishtja një numër të madh tregimesh, legjendash dhe epope.”

Nëse do të ndiqnim gjurmët e qytetërimit islam në fushën e ligjeve dhe të drejtësisë, do të shihnim se Evropa, për shkak të lidhjes së studentëve të saj me shkollat islame në Andaluzí, mori një sërë dispozitash juridike dhe ligjore në gjuhët e saj. Në atë kohë, Evropa nuk kishte as sistem të rregullt e as ligje të drejta.

Në këtë drejtim, orientalisti francez Sedillot thotë:
“Medh’hab-i maliki është ai që na tërheq vëmendjen në mënyrë të veçantë, për shkak të lidhjeve tona me arabët e Afrikës së Veriut. Qeveria franceze ngarkoi Dr. Perron-in të përkthente në frëngjisht librin el-Muḫtaṣar në fikh, të Imam Halil ibn Is’hak ibn Jakub (v. 776 h / 1374 m).”

Madje, qytetërimi islam ndikoi edhe në vetë ligjet e Evropës. Në këtë lidhje, historiani anglez Herbert George Wells thotë:
“Evropa i është borxhli Islamit për pjesën më të madhe të ligjeve të saj administrative dhe tregtare.”

Po ashtu, në fushat e ndryshme të shkencës – mjekësi, farmaci, matematikë, kimi, optikë, gjeografi, astronomi dhe të tjera – qytetërimi islam pati ndikim të thellë në Perëndim.
Shumë prej studiuesve perëndimorë të drejtë kanë pranuar se muslimanët mbetën mësuesit e Evropës për një periudhë jo më të shkurtër se gjashtëqind vjet.

Nxjerrë nga artikulli: “Vështrime mbi qytetërimin islam në Andaluzí”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit