“Neil Postman dhe zhdukja e fëmijërisë: Si Mesjeta nuk njihte një moshë të veçantë për fëmijët”

Më të lexuarat

Neil Postman, një ish-profesor në Universitetin e Nju Jorkut, shkroi librin The Disappearance of Childhood (Zhukja e fëmijërisë). Në të, ai argumenton se fëmijëria ishte një nga shpikjet e mëdha të epokës së Rilindjes, njëlloj si çdo strukturë tjetër shoqërore. Zhvillimi i saj lidhej ngushtë me traditën e shkruar dhe zhvillimin e shkollave fillore, në krahasim me traditën gojore të Mesjetës. Ai thotë: Në një botë të mbështetur te tradita gojore nuk ka shumë vend për konceptin e të rriturit dhe, për rrjedhojë, akoma më pak për atë të fëmijës. Dhe pikërisht për këtë, në të gjitha burimet (historike), ndeshim se në Mesjetë fëmijëria përfundonte në moshën shtatë vjeç. Pse shtatë? Sepse kjo është mosha në të cilën fëmijët marrin në zotërim të folurën. Ata mund të thonë dhe të kuptojnë atë që të rriturit thonë dhe kuptojnë. Janë në gjendje të dinë të gjitha sekretet e gjuhës, të cilat janë sekretet e vetme që u nevojiten. Dhe kjo na ndihmon të shpjegojmë pse Kisha Katolike e caktoi moshën shtatë vjeç si moshën në të cilën njeriu supozohej të dinte dallimin mes të mirës dhe të keqes, moshën e arsyes. Kjo gjithashtu na ndihmon të shpjegojmë pse, deri në shekullin e XVII-të, fjalët që përdoreshin për të treguar meshkuj të rinj mund t’u referoheshin burrave tridhjetë, dyzet ose pesëdhjetëvjeçarë, pasi nuk kishte ndonjë fjalë, në frëngjisht, gjermanisht apo anglisht, për një mashkull të ri midis moshës shtatë dhe gjashtëmbëdhjetë vjeç. Fjala child (fëmijë) shprehte lidhjen familjare me dikë, por jo një moshë të caktuar.

Por mbi të gjitha, tradita orale e Mesjetës na ndihmon të shpjegojmë pse nuk ekzistonin shkollat fillore. Sepse aty ku biologjia përcakton kompetencën e komunikimit, nuk ka nevojë për shkolla të tilla… Mënyra mesjetare e të nxënit është mënyra e komunikimit oral; ajo zhvillohet kryesisht përmes praktikës dhe shërbimit, atë që ne do ta quanim “trajnim gjatë punës.” Shkollat që ekzistonin karakterizoheshin nga “mungesa e ndarjes në nivele të kurrikulës sipas vështirësisë së lëndës, njëkohshmëria me të cilën mësoheshin lëndët, përzierja e moshave dhe liria e nxënësve.” Nëse një fëmijë mesjetar shkonte në shkollë, ai do të fillonte më së voni në moshën dhjetë vjeç, ndoshta edhe më vonë. Ai do të jetonte më vete në konvikte në qytet, larg familjes së tij. Do të ishte e zakonshme që në klasën e tij të gjente të rritur të të gjitha moshave, dhe ai nuk do ta perceptonte veten si të ndryshëm prej tyre. Sigurisht, nuk do të gjente asnjë përputhje mes moshave të nxënësve dhe asaj që ata studionin.

[43] Postman, The Disappearance of Childhood, 18–21.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit