Mbajtja e shamisë nga vajzat myslimane prej kohësh është bërë një pamje e zakonshme në rrugët e Austrisë. Qeveria tani ndodhet në fazën përfundimtare të negociatave për një ndalim të ri për vajzat nën 14 vjeç, i cili do të vlejë në të gjitha shkollat – përfshirë edhe ato islame.
Nga Ministria e Familjes dhe Integrimit theksojnë se nuk bëhet fjalë për një dukuri dytësore. Bëhet fjalë për “mbulimin” e vajzave nën 14 vjeç, dhe sipas të dhënave të ekspertëve (në krahasim me Gjermaninë), vetëm në Vjenë mund të jenë deri në 12.000 fëmijë që mbajnë shami.
Ndalim edhe në shkollat private islame
Se hixhabi dhe mbulesat e tjera tashmë po mbahen gjithnjë e më hapur, ishte e dukshme që në ditën e parë të shkollës në Austrinë lindore, si dhe në fotografitë e përbashkëta të klasave. Edhe Qendra e Dokumentimit për Islamin Politik ka konfirmuar në një studim se ndikimi islam po vërehet gjithnjë e më shumë në hapësirën publike.
Pasi ligji i mëparshëm për ndalim u anulua, qeveria tani po ndërmerr një përpjekje të re për ta bazuar ndalimin ligjërisht. Kësaj here ai do të vlejë jo vetëm në shkollat publike, por edhe në të gjitha shkollat private dhe islame. Sipas informacioneve të disponueshme, koalicioni është në përmbyllje të negociatave dhe vendimi mund të merret që në shtator në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.
Mësuesit raportojnë, policia gjobit
Parashikohen gjoba të larta për prindërit që refuzojnë të respektojnë rregullin. Planifikohen gjoba financiare prej të paktën disa qindra eurosh, ndërsa për shkelje të përsëritura mbi 1000 euro. Mësuesit do të duhet të raportojnë rastet në klasat e tyre, ndërsa policia do të jetë e ngarkuar të zbatojë gjobat administrative ndaj prindërve. ( Saff.Ba)
