Ish-kryeministri i Maqedonisë, Ljubqo Georgevski, beson se ish-kryeministri i Serbisë, Zoran Gjingjiq, u vra në një atentat pasi dëshironte të bisedonte për shkëmbime territoresh midis Serbisë, Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës.
Në një intervistë për të përditshmen boshnjake “Dnevni Avaz”, ai shkruan se do të ofrojë detaje të tjera kyçe të personalitetit të Gjingjiq në autobiografinë e tij që do të publikohet shumë shpejt.
Megjithatë, ish-kryeministri maqedonas, njëkohësisht një shtetas bullgar, vlerësoi se “tashmë është e qartë që nëse Gjingjiq do të kishte jetuar më gjatë, harta politike e Ballkanit mund të kishte qenë e ndryshme nga e sotmja”.
Georgevski, lideri i parë i partisë VMRO-DPMNE, që tashmë udhëheq Maqedoninë, gjithashtu zbuloi se takoi për 15 minuta në burg Sllobodan Millosheviqin, gjatë një vizite në Hagë dhe se i dha NATO-s aprovimin për të sulmuar Serbinë nga territori i vendit të tij në vitin 1999, ndonëse kjo rezultoi më pas e panevojshme.
Në një shprehje të rrallë sinqeriteti, Georgevski gjithashtu pranoi se “maqedonasit janë falsifikuesit më të mëdhenj të historisë në Ballkan”.
Ish-kryeministër i Serbisë, Gjingjiq u vra në vitin 2003 nga një snajper në dalje të një godine qeveritare në Beograd. Më vonë, vrasësi u lidh me një grup nacionalist, i ashtuquajtur “grupi i Zemunit”, që kundërshtonte politiken e Gjingjiq për një bashkekzistence paqësore me fqinjët.kohaislame