Kur bërtet Gaza… kush e dëgjon e kush fshihet?

Më të lexuarat

Gaza nuk është një çështje për debat, as një tragjedi për t’u vajtuar, as një lajm për t’u lexuar shpejt.
Në këtë kohë të thyer, Gaza nuk është më dosje politike, as pikë në agjendën e negociatave, as parullë që ngrihet në një protestë e pastaj paloset.
Gaza është shndërruar në një “urë”.

Urë mbi të cilën nuk ecet me këmbë, por me ndërgjegje.
Nuk matet me distancë, por me qëndrim.
Nuk provohet trupi, por provohet shpirti.
Urë ku nuk bie ai që s’ka, por ai që s’do.

Gaza nuk kërkon të shkosh tek ajo, as të marrësh armë, as të shpallësh me zë të lartë qëndrimin tënd.
Ajo kërkon diçka më të thjeshtë, më të thellë:
Të përballesh me veten përpara saj.
Të shikosh në pasqyrë dhe të pyesësh:
A jam prej atyre që kaluan? Apo prej atyre që u ndalën?
A jam prej atyre që bërtitën? Apo prej atyre që u fshehën?
A jam prej atyre që patën frikë? Apo prej atyre që përdorën frikën për të justifikuar harresën?

Gaza, në këtë kuptim, nuk është një provë politike, por një provë morale e rreptë.
Ajo zbulon hipokritin këtu dhe tradhtarin atje.
Ajo nxjerr zbuluar ata që fshihen pas kafshatës së bukës dhe ata që adhurojnë dollarin.
Ajo zbulon ata që bërtasin kur preket buka e tyre, e heshtin kur shkelet atdheu.

Gaza nuk të përkëdhel, nuk të bën kompromis, nuk të fal.
Gaza, thjesht, të zbulon.

*Kur njeriu sprovohet në errësirën e frikës*

Në mbretëritë e frikës e të bindjes, njerëzit nuk jetojnë vetëm nën shtypje, por edhe nën një iluzion të quajtur “arsyetim”.
Thonë: “Kemi frikë”, dhe frika kuptohet, por kur ajo bëhet perde e përhershme, frika kthehet në ortak të heshtjes, jo justifikim.
Thonë: “Na vëzhgojnë”, por ata nuk ruajnë veç bukën e tyre, jo gjakun e vëllezërve të tyre.
Thonë: “Ne jemi si Gaza”, por ata s’janë bombarduar, s’janë rrethuar, s’janë uritur, s’janë varrosur nën gërmadha.

Në shtetet e ushtarëve, disa bërtasin vetëm kur u preket buka, jo kur u shkelet toka.
E kur u merret shtëpia ose puna, dalin, përballen, bërtasin – siç bënë banorët e Warraq, si qytetarët e Arishit – të cilët thanë:
“Shtrëngo zemrën time, aty është çështja ime… por mos më prek bukën, aty është jeta ime.”

Por Gazas nuk i preket vetëm buka, shpirti i saj shtypet çdo ditë.
Ajo nuk ka luksin e justifikimeve, as kohën e shtyrjes së qëndrimit, as hapësirën e neutralitetit.
Gaza bombardohet, rrethohet, uritet, varroset, ndërsa të tjerët fshihen pas frikës së brishtë, arsyetimeve të rehatshme apo një urtësie të supozuar.

Askush nuk të kërkon të dalësh përballë plumbave.
Por… a pëshpërite? A shkruajte? A refuzove?
A i mësove fëmijët e tu se Palestina nuk është lajm televiziv, por nder që nuk shitet?
A e lidhje bukën tënde me gjakun e saj, apo e ndave?
A e mbajte kauzën gjallë në shtëpi, shkollë, xhami, apo e varrose nën jastëkun e frikës?

Problemi nuk është vetëm në sistemin që të shtyp, por tek ti kur sprovohesh.
Sepse shtypja nuk lind nënshtrim, ajo e zbulon atë.
Sepse njeriu, kur sprovohet, nuk matet me atë që e rrethon, por me atë që është brenda tij.

Dhe sikur të vendosesh në të njëjtat kushte, në të njëjtin moment, në shpërngulje, do bëje siç bëre:
Do heshtje siç heshtje, do frikësoheshe siç u frikësove, do justifikoje siç justifikove.
Sepse nënshtrimi nuk është rastësi, por natyrë e rrënjosur.

Gaza, kur sprovohet, duron, bërtet dhe zbulon.
Ajo nuk të gjykon, por të thërret.
Nuk të dënon, por të trondit nga brenda.
Të vë përballë pasqyrës dhe të pëshpërit:
“A kalove? Apo u ndale?”

*Kur sprovohet ndërgjegjja në kohën e rehatisë*

Këtu, ku s’ka shtypje, as frikë, as kufizim, jetojnë shumë në rehati të plotë, por jo në neutralitet.
Askush nuk i pengon, por ata pengojnë veten.
Askush nuk ua mbyll gojën, por ata e heshtin vetë.
Askush nuk i ndjek, por ata ikin nga pasqyra, nga Gaza, nga vetja.

Në mërgim e në gëzim, disa vendosën të varrosin ndërgjegjen nën jastëkun e rehatisë.
Dikur ishin në rreshtat e parë, bërtisnin, shkruanin, ngrinin parulla, kërkonin liri, përballeshin me tiraninë.
Por koha tregoi se disa nuk e donin lirinë, por atdheun.
Nuk bërtisnin nga dhimbja e grushtit të shtetit, por nga dhimbja e mërgimit.

Kur kthimi u vonua, kur koha u zgjat, ata u tërhoqën.
U tërhoqën drejt kafshatës, e shijuan rehatinë, e deshën harresën.
Harruan kauzën, harruan dëshmorët, harruan edhe zërin e tyre.
Opozita nuk ishte çështja e tyre, por mjeti i tyre.
Kur mjeti mbaroi, mbaroi edhe zëri.
Kur zëri mbaroi, filloi heshtja.

Kjo heshtje nuk dënon, por zhvesh.
Nuk gjykon, por dallon.
Nuk përjashton, por të nxjerr ngadalë nga rreshti.

Ky nuk krahasohet me ata në mbretëritë e bindjes, sepse ata të paktën kanë një justifikim, sado i brishtë.
Por këtu, nuk ka as shtypje, as frikë, as kufizim.
Këtu ka gjithçka… përveç vullnetit.

*Të lirët e botës… kur gjaku nuk është kusht i përkatësisë*

Në qytete që s’njohin erën e barutit, as orët e bombardimeve, dolën njerëz që s’na ngjajnë në gjuhë, as në gjeografi, as në histori, por na ngjajnë në një gjë: në njeriun kur sprovohet.

Ata nuk lindën në Gaza, nuk u dëbuan prej saj, nuk u rrethuan,
por kur dëgjuan britmën e heshtur, u drodh diçka brenda tyre që quhet “ndërgjegje”.

Ata nuk u mjaftuan me qëndrimin.
Nuk lanë shesh pa hyrë, as platformë pa ngjitur, as rrugë pa shënuar britmën e tyre.
Ndaluan anijet turistike, refuzuan ngarkesat e armëve, hynë në konferenca të inteligjencës artificiale, protestuan në eventet e Microsoft-it, bojkotuan restorante, universitete, marka tregtare.
Demaskuan këdo që mbështeti pushtimin, këdo që bashkëpunoi me të, këdo që heshti ndaj tij.

Disa u goditën, disa humbën syrin, disa punën, disa u përjashtuan nga universitetet.
Por ata nuk u tërhoqën, nuk bënë pazare, nuk kërkuan asgjë.
Ata ishin aty vetëm sepse vendosën të ishin njerëz kur njerëzit u sprovuam.

Këta nuk ngritën flamurin e Palestinës, por flamurin e njeriut.
Nuk bërtitën në emër të Gazës, por në emër të së vërtetës.
Nuk kërkuan të quheshin “heronj”, por vetëm të mos quheshin “heshtakë”.

Ata nuk dinë emrat e dëshmorëve, por dinë ç’do të thotë të vritet një fëmijë në prehrin e nënës.
Ata nuk njohin lagjet e Gazës, por panë nderin e grave të saj.
Nuk kuptojnë gjuhën e saj, por kuptuan dhimbjen e saj.

Ata kaluan urën dhe shpëtuan.
Nuk ranë, sepse nuk bartën valixhe justifikimesh, as barrë interesash, as mantelin e identitetit.
Ata kaluan, sepse ishin të lehtë nga gjithçka… përveç nga sinqeriteti.

*Arti i së mundshmes… për ata që duan të kalojnë*

Gaza nuk kërkon mrekulli.
Ajo nuk pret që ta çlirosh vetëm, as të rrëzosh regjime, as të ndryshosh balancat e botës.
Gaza kërkon të mundshmen.

E mundshmja, kur thuhet me sinqeritet, bëhet më e madhe se ëndrra, më e afërt se iluzioni, më e fortë se pafuqia.

Në mbretëritë e padrejtësisë:
E mundshmja është të pëshpërisësh, të shkruash, të refuzosh.
T’u mësosh fëmijëve të tu se Palestina nuk është lajm, por nder.
Të ruash vetëdijen gjallë edhe në errësirën e frikës.

Në mërgim e rehat:
E mundshmja është të kujtosh, të shkruash, të ndash, të mbash gjallë zërin tënd.
Të ruash kauzën në zemër, jo në arkiv.
T’u mësosh fëmijëve se Palestina nuk matet me gjeografi, por me ndërgjegje.

E mundshmja është të bojkotash, të denoncosh, të shqetësosh çdo përfitues nga gjaku i saj.
Të ndjekësh çdo platformë, çdo konferencë, çdo markë që mbështet pushtimin.
Ashtu siç bënë të lirët e botës që na dhanë një mësim të paharruar.

*Kur mungesa nuk është justifikim*

Gaza nuk përjashton askënd, por nuk pret askënd.
Rreshti nuk ndërtohet mbi justifikime, por mbi gatishmëri.
Uratë nuk e dallon këtë nga ai, veçse me sinqeritetin e brendshëm.

Kush nuk përgatiti veten, nuk përgatiti zemrën, nuk përgatiti qëndrimin,
ai nuk ishte kurrë në rrugë, edhe nëse mendonte se ishte.

“Sikur të donin të dilnin, do të përgatiteshin për të, por Allahu e urreu daljen e tyre, i pengoi dhe u tha: Uleni me ata që ulen.” (Teube: 46)

Prandaj kush do të kalojë urën, duhet të përgatitet:
Me sinqeritet, me vetëdije, me qëndrim.
Sepse Gaza nuk sprovohet me këmbë, por me ndërgjegje.
Kush kalon… shpëton.
Kush bie… ka zgjedhur vetë.

✍️ Ejmen Xhad

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit