Nxitje e hapur e urrejtjes dhe thirrje publike për “eliminimin” e humanistit Halil Kastratit nga një fashit islamofob

Observatori Kombëtar Kundër Islamofobisë vëren me shqetësim të madh dhe denon me forcë gjuhën e urrejtjes dhe thirrjet e rrezikshme për “eliminim” që i janë bërë hoxhës dhe humanistit të mirënjohur, Halil Kastrati, publikisht nga një individ që fshihet pas emrit “Illyrian Kastrioti” në rrjete sociale.
Këto “thirrje për arrestim” apo “eliminim”, nuk janë vetëm një shfaqje e hapur banale e Islamofobisë në formën e saj më të shëmtuar, por një akt i rëndë që inkurajon dhunën dhe synon të mbjellë urrejtje dhe përçarje te njerëzit. Të etiketosh një personazh publik, i cili njihet për punën e tij të palodhur humanitare, si “terrorist islamik-anti-kushtetues” dhe të bësh thirrje për “eliminimin” e tij, përbën një shkelje të qartë të ligjeve kundër nxitjes së urrejtjes.
Ne i bëjmë thirrje publike Prokurorisë dhe autoriteteve të tjera përgjegjëse për zbatimin e ligjit në Kosovë që të hetojnë menjëherë këtë rast. Këto thirrje të hapura për dhunë nuk mund të kalohen në heshtje. Tolerimi i tyre do të ishte një dëm i pariparueshëm për parimet tona demokratike dhe për bashkëjetesën fetare dhe sociale.
Observatori Kombëtar Kundër Islamofobisë thekson se gjuha e urrejtjes nuk është “mendim i lirë”, por një instrument që përdoret për të legjitimuar dhunën, për të demonizuar grupe të caktuara shoqërore dhe për të destabilizuar shtetin. Është detyrë e secilit prej nesh, por sidomos e autoriteteve shtetërore, të ngrihemi kundër këtij fenomeni të rrezikshëm dhe të sigurojmë që nxitësit e urrejtjes të përballen me pasojat ligjore të veprimeve të tyre.
Ne shprehim solidaritetin tonë të plotë me Halil Kastratin dhe me të gjithë ata që bien viktimë e gjuhës së urrejtjes islamofobe.
/Observatori Kombëtar Kundër Islamofobisë/
