Ka qytete që ushqejnë trupin, por ka edhe qytete që ushqejnë shpirtin e njerëzimit. Gaza është të dyja.
Në vitin 1944, kur uria goditi Egjiptin e Jugut, banorët e Khan Younis-it në Palestinë grumbulluan nga pak dhe dërguan gjithçka që mundën për të ushqyer vëllezërit e tyre. Në vitin 1945, Gaza mblodhi qindarkë mbi qindarkë për të ndërtuar një spital në zemër të Arabisë Saudite. Në vitin 2011, minaret dhe xhamitë e saj u bënë qendra mbledhjeje për ndihma ndaj Somalisë së uritur. Dhe vetëm pak kohë më parë, pas tërmetit shkatërrues, Gaza u ngrit për të ndihmuar Sirinë e veriut.
Ky qytet i vogël në sipërfaqe, por gjigant në zemër, ka ushqyer botën me bukë, me mjekim dhe me dinjitet.
Por sot, ai po uritet. Po rrethohet. Po theret.
Jo sepse është i varfër, por sepse është i pasur me nder.
Jo sepse është i dobët, por sepse është i pathyeshëm.
Jo sepse ka tradhtuar, por sepse është e fundit kala e sinqeritetit në një kohë rëniesh.
Para pushtimit, Palestina ishte strehë për çdo udhëtar, vend ku kopshte të begata derdheshin me fruta, ku shkollat mbusheshin me nxënës dhe ku pasuritë ndaheshin me ata që kërkonin strehim. Dhe kur tragjedia ra mbi të, flamuri nuk u ul kurrë. Ajo derdhi gjakun e saj për dinjitet, jo për dëshpërim.
Sot, Gaza nuk kërkon vetëm bukë kërkon drejtësi.
Ajo nuk kërkon vetëm ndihma kërkon heqjen e rrethimit.
Sepse uria e saj është e planifikuar, dhe vdekja e saj është qëllim për ata që duan ta shohin ummetin të gjunjëzuar.
O të lirë të botës,
Nëse ende keni gjak që rrjedh në venat tuaja, nëse ende keni burrëri në zemrat tuaja mos e lini Gazën të luftojë vetëm.
Mos lejoni që ajo të theret që ju të hani, të rrethohet që ju të flini, të uritet që ju të jetoni skllevër.
Është koha që heshtja të bëhet zë.
Zemërimi të bëhet presion.
Paratë të bëhen bukë dhe ilaç.
Dinjiteti të bëhet vendim.
Hiqni rrethimin tani, jo nesër.
Hapni portet jo nga bujaria, por sepse nderi nuk blihet.
Ushqeni Gazën jo si lëmoshë, por sepse ai që ju ka ushqyer një ditë, nuk duhet të poshtërohet i uritur.
Gaza është testi ynë.
Nëse e lëmë të bjerë, bie edhe nderi ynë.
Ed-hem Ebu Selemeh
