Ministria e Shëndetësisë ka rekomanduar që institucionet publike dhe private të zbatojnë masa mbrojtëse për mbrojtjen e punëtorëve nga temperaturat e larta.
Sipas MSH-së, rekomandimi i cili vjen në bazë të këshillave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, vlen nga 11 deri më 15 gusht.
“Temperaturat e larta ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut, veçanërisht tek grupet më të ndjeshme të shoqërisë, si: fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura apo në kushte pune me temperatura të larta”, thuhet në njoftim.
MSH-ja ka rekomanduar që të shmanget puna në ambient të jashtëm prej orës 11:00–16:00, gratë shtatzëna të lirohen nga puna nga ora 11:00 deri në 16:00, ndërsa personat me sëmundje kronike të punojnë me orar të shkurtuar, maksimumi 4 orë në ditë, nëse në vendin e punës nuk plotësohen kushtet.
Në njoftim është rekomanduar edhe që të përshtaten oraret e punës për të punësuarit, në mëngjes herët ose pasdite vonë, përfshirë edhe mundësinë e punës nga shtëpia, të sigurohet ajrosja e mjaftueshme në vendet e punës të mbyllura, të vendosen pika freskimi (përdorimi i çadrave të lëvizshme dhe materialeve tjera për të krijuar hije apo zona freskimi) në vend punishtet e hapura për freskim të punëtorëve dhe të sigurohet qasje në ujë te ftoftë për punëtorët, si dhe të shpërndahen informacione për mënyrat e mbrojtjes nga nxehtësia.
“Ftohen të gjitha institucionet që t’i respektojnë këto rekomandime, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të punëtorëve dhe të grupeve të tjera të ndjeshme”, theksohet në njoftim.
