Nuk është e rrallë që në botën ku jetojmë të shohësh mëkatarin të shijojë jetë të qetë, të rehatshme, pa telashe të mëdha, pa sprova që e lëkundin nga themeli. Ndërsa përballë tij, qëndron besimtari i ndershëm, i përkushtuar, i zellshëm në adhurim, por që shpesh herë duket se jeta i sjell pengesë pas pengese, vështirësi pas vështirësie.
Ky kontrast që mund të duket i pakuptueshëm në syrin e paditur, është sqaruar me mprehtësi nga dijetari i njohur islam, Imam Ibën Kajjimi. Ai thotë:
“Allahu e ndëshkon robin e Tij besimtar, të cilin e do dhe që ka vlerë te Ai, për gabimin më të vogël apo për një lëshim të thjeshtë, në mënyrë që ai të mbetet i zgjuar, i ndërgjegjshëm dhe i kthjellët në udhën e Tij. Ndërsa atë që ka rënë nga sytë e Allahut, që nuk ka më vlerë në sytë e Tij, Ai e lë të lirë me mëkatet e tij, pa ia ndalur asgjë, madje herë pas here i shton edhe nga të mirat e kësaj bote.”
(Zadul-Me’ad, 3/506) 📚
Dhe kjo është mashtrimi më i madh. Njeriu mendon se është i bekuar, se kjo rritje e mirëqenies është shenjë dashurie dhe afrimi nga Zoti. Por në të vërtetë, kjo është pikërisht ajo që quhet “poshtërimi hyjnor i fshehur”: të mos ndëshkohesh më as për mëkatin, të mos të të qortohet më ndërgjegjja, të mos ndjesh më peshën e gabimit.
Imam Ibën Kajimi na kujton se ndëshkimi më i rëndë nuk është sprova në vetvete, por braktisja hyjnore, ajo gjendje kur njeriu lihet të notojë në mëkat pa asnjë ndalesë, pa asnjë shenjë udhëzimi, pa asnjë kujtesë të dhimbshme që ta kthejë prapa.
Prandaj, kur të shohësh që mëkati nuk të prek më, që nuk ndjen keqardhje apo frikë nga Ai që sheh çdo gjë — atëherë, frikësohu vërtet.
Sprova, në fakt, është dhuratë. Është kujtesa e Zotit që ti ende ia vlen të ndreqesh, të pastrohesh, të ringrihesh.
Kërkojmë nga Allahu të na ruajë nga braktisja e Tij dhe të na bëjë prej atyre që përjetojnë mirësi edhe në këtë botë edhe shpëtojnë në botën tjetër. Amin!
