Zyrtarë të Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) kanë paralajmëruar se ndihmat që po hidhen me parashuta nga avionët ushtarakë në Gaza janë të rrezikshme për civilët dhe jashtëzakonisht të kushtueshme.
Juliette Touma nga UNRWA tha se mënyra më e lehtë dhe më efikase për të ndihmuar popullin e Gazës është hapja e kufijve dhe lejimi i hyrjes së kamionëve me ndihma. Sipas saj, agjencive humanitare duhet t’u jepet mundësia të kryejnë punën e tyre.
Kreu i UNRWA-së, Philippe Lazzarini, theksoi se hedhjet ajrore janë të paktën 100 herë më të kushtueshme sesa dërgimi me kamionë dhe sjellin dy herë më pak ndihma. Ai tha se UNRWA ka 6,000 kamionë me ndihma gati për të hyrë në Gaza.
“Nëse ka vullnet politik për të lejuar hedhjet ajrore – që janë të shtrenjta dhe jo të mjaftueshme – duhet të ketë po aq vullnet për të hapur kalimet rrugore,” shkroi ai në rrjetet sociale. “Ndërsa populli i Gazës po vdes nga uria, mënyra e vetme për t’i dalë përballë kësaj fatkeqësie është të mbushet Gaza me ndihma.” /mesazhi
