Ahmad Hilmi Abdul Baki (1882–1963) ishte një nga figurat më të shquara të Palestinës në fushat ekonomike, tregtare, bankare, shoqërore dhe bujqësore.
Me prejardhje shqiptare dhe edukim turk, ai ishte nacionalist arab me zemër dhe besnik i devotshëm ndaj Palestinës. Ai u bë kryetar i “Qeverisë së Përgjithshme të Palestinës”, e themeluar nga Liga Arabe gjatë luftës së vitit 1948 për të administruar rajonin e Gazës që kontrollohej nga Egjipti.
*Lindja dhe prejardhja*
Ahmad Hilmi lindi në vitin 1882 në qytetin Sidon të Libanit, në një familje me origjinë shqiptare. Babai i tij ishte oficer në ushtrinë e Perandorisë Osmane.
Nga martesa e tij e parë kishte tri vajza:
• Safije, e martuar me politikanin libian Mansur Kadara,
• Senije, gruaja e Abdul Hamid Shuman – themeluesi i Bankës Arabe në Palestinë,
• Naila, e martuar me AbdulMexhid AbdulHamid Shuman.
Nga martesa e dytë pati një djalë të vetëm, Muhamed, i cili u martua me Suadën, vajzën e politikanit palestinez Rashid al-Haxh Ibrahim.
⸻
*Shkollimi dhe formimi*
Fillimet e shkollimit i mori në Nablus, më pas studioi në Stamboll. U kthye në qytetin Tulkarem me të atin, ku mësoi gjuhën arabe dhe letërsinë nga dijetari i njohur Said al-Karmi, gjë që i dha formim të fortë intelektual.
⸻
*Karriera dhe pozitat*
Gjatë Luftës së Parë Botërore, mori pjesë në betejat kundër britanikëve përkrah ushtrisë osmane dhe forcave vullnetare nga fiset irakiane. Ishte anëtar i shoqatës sekrete nacionaliste “elArabijetu Al-Fatat” (arabia rinore) dhe shtylla e Partisë së Pavarësisë në Damask më 1919.
• Më 1919–1920 u emërua drejtor i përgjithshëm i Ministrisë së Financave në qeverinë e Princit Fajsal në Damask.
• Në vitin 1922 u zhvendos në Jordaninë Lindore dhe u emërua ministër financash.
• Mbreti i Hixhazit, Husein bin Ali, e emëroi drejtor të hekurudhës Hixhazi dhe i dha titullin “Pasha”.
Pas revolucionit sirian kundër pushtimit francez në vitin 1925, ai u bë pjesë e Komitetit Qendror për ndihmë ndaj të dëmtuarve në Siri.
Autoritetet britanike e dëbuan në Hixhaz, duke e akuzuar për nxitje kundër mandatit francez në Siri. Më pas ai u zhvendos në Kajro dhe më vonë në vitin 1926 në Palestinë, me ftesë të Haxhi Emin al-Husseinit, për të mbikëqyrur vakëfet islame.
⸻
*Aktiviteti financiar dhe bankar*
• Në vitin 1930 dha dorëheqje dhe u bë drejtor i përgjithshëm i Bankës Arabe, të cilën e themeloi bashkë me Abdul Hamid Shuman.
• Themeloi Bankën Bujqësore për të ndihmuar fermerët me kredi bujqësore.
• Themeloi Bankën e Kombit Arab dhe Fondin e Kombit për të shpëtuar tokat arabe nga grabitja sioniste.
• Inicoi projektin “Donumi”, që synonte t’i jepte çdo palestinezi të paktën një donum (1000 m²) tokë në zonat e rrezikuara nga kolonizimi sionist.
• Themeloi Shkollën e Fëmijëve të Kombit Arab (më vonë: Kolegji i Kombit në Jerusalem).
⸻
*Veprimtaria politike*
• Ishte delegat i Jeruzalemit në Kongresin Islamik të vitit 1928 për mbrojtjen e Murit al-Buraq dhe vendeve të shenjta islame.
• U bë anëtar i Komitetit për Ndihmën e të Prekurve pas revoltës së vitit 1929.
• Mori pjesë në Kongresin Islamik të përgjithshëm në Jerusalem më dhjetor 1931 si arkëtar dhe anëtar i Komisionit për hekurudhën Hixhazi.
• U zgjodh kryetar nderi i Dhomës së Tregtisë së Jerusalemit dhe i Shoqatës Bamirëse Salahije, e cila themeloi institutin për jetimët e dëshmorëve.
⸻
*Në luftën për Palestinën*
Pas kthimit në Palestinë në fund të vitit 1942, tentoi bashkimin e forcave politike për të ringjallur lëvizjen kombëtare – përpjekje që dështoi.
• Më 1943, së bashku me Auni Abdul Hadi dhe Rashid al-Haxh Ibrahim, riktheu në funksion Fondin e Kombit Arab.
• Në vitet 1945–1946 tentuan ringritjen e Komitetit të Lartë Arab, të shpërbërë nga britanikët më 1937.
• Me dështimin e kësaj përpjekjeje, Liga Arabe formoi Komitetin e Lartë Arab në qytetin Bloudan në qershor 1946 dhe ftoi Abdul Bakin të bashkohej.
Pas vendimit të OKB-së për ndarjen e Palestinës në vitin 1947, Abdul Baki mbeti i vetmi ndër udhëheqësit që vazhdoi mbrojtjen e Jerusalemit përballë sulmeve sioniste.
• Më 16 qershor 1948 u emërua guvernator ushtarak i Jerusalemit nga mbreti Abdullah I i Jordanisë.
• Më vonë u emërua nga Liga Arabe si kryeministër i Qeverisë së Përgjithshme të Palestinës, e shpallur në Gaza në shtator 1948. Ai mori pjesë si përfaqësues i kësaj qeverie në takimet e Ligës Arabe në Kajro deri në vdekjen e tij.
⸻
*Veprat e shkruara*
• Ka shkruar një përmbledhje me poezi të titulluar “Divani im”, përgatitur dhe botuar nga shkrimtari dhe poeti palestinez-jordanian Ibrahim Nasrallah.
⸻
*Themelimi i Bankës së Kombit Arab*
Në vitin 1937, pas dorëheqjes nga Banka Arabe, themeloi Bankën e Kombit Arab me qëllim dhënien e kredive bujqësore për periudha deri në një vit – ndryshe nga bankat tregtare të kohës që jepnin kredi vetëm për 3 muaj.
Banka vazhdoi veprimtarinë e saj deri në përfundimin e mandatit britanik dhe më pas u zhvendos në Kajro nën drejtimin e Ahmed Hilmi Pashës, megjithëse shumë fermerë nuk arritën të shlyenin kreditë për shkak të dëbimit nga tokat e tyre.
⸻
*Vdekja*
Ahmad Hilmi Abdul Baki vdiq më 29 qershor 1963 në Suuk el-Garb të Libanit. U varros në pjesën perëndimore të xhamisë al-Aksa, pranë princit Muhamed Ali al-Hindi, komandantit Abdul Kader al-Husseini dhe një grupi liderësh arabë e myslimanë.
⸻
Burimi: Al Jazeera + burime të tjera online
