Kush janë Druzët?

Më të lexuarat

Pas ngjarjeve të fundit në Siri që përfshinë komunitetin druz, Presidenti i Qeverisë Kalimtare Siriane, Ahmed Shara, shpalli se populli druz është marrë nën mbrojtjen e drejtpërdrejtë të shtetit. Por kush janë druzët, një nga komunitetet më të vjetra të Lindjes së Mesme? Cili është besimi i tyre dhe çfarë roli luajnë në Siri? Ja detajet…

Druzët – Një pasqyrë e shkurtër

Druzët janë një komunitet fetar me origjinë arabe dhe strukturë të mbyllur, që u shfaq në shekullin XI dhe rrënjët e të cilit burojnë nga Islami Shiit-Ismailit, megjithatë me kalimin e kohës ata fituan një identitet fetar krejtësisht të veçantë.

Sot jetojnë kryesisht në Siri, Liban, Izrael dhe Jordani. Në shkallë globale numri i tyre vlerësohet të jetë rreth 1 deri në 1.5 milionë persona.

Kur filloi besimi druz dhe kush është themeluesi?

Druzizmi lindi gjatë sundimit të Kalifit Fatimid el-Hakim Biemrillah (996–1021). Prej kohësh është menduar se themeluesi i tij ishte Muhamed bin Ismail ed-Derazi, por vetë druzët e hedhin poshtë këtë pretendim dhe pranojnë si themelues Hamza bin Ali bin Ahmed.

Thuhet se emri “Derazi” rrjedh nga fjala “derz” që do të thotë “rrobaqepës”, ndaj druzët nuk e pëlqejnë këtë emërtim.

Predikimi i besimit të tyre ka zgjatur mes viteve 1017–1043 dhe që prej asaj kohe, feja është plotësisht e mbyllur për të rinj – domethënë mund të jesh vetëm i lindur druz.

Cili është sistemi i besimit të druzëve?

Druzët besojnë në një Zot të vetëm dhe feja e tyre mbështetet mbi Ismailizmin shiit. Ata e pranojnë Profetin Muhamed si profet, por gjithashtu konsiderojnë figura si Hamza bin Ali si të shenjtë.

Besimi i tyre është i mbyllur dhe u mësohet vetëm atyre që quhen “âkil” (të diturit e fesë). Libri i tyre i shenjtë është “Rasail el-Hikme” (Letrat e Urtësisë).

Pesë parimet morale të fesë së tyre janë:

  • e vërteta,
  • vëllazëria,
  • uniteti me Zotin,
  • përdorimi i arsyes,
  • pastërtia shpirtërore.

Reinkarnimi (besimi në rikthimin e shpirtit në një trup tjetër pas vdekjes) është gjithashtu një element i fortë në besimin e tyre. Ata nuk e konsiderojnë veten myslimanë dhe nuk zbatojnë ritet tradicionale të Islamit si falja apo agjërimi.

Struktura shoqërore dhe kultura e druzëve

Shoqëria druze ndahet në dy grupe:

  1. Ukkal – të urtët, elitë me njohuri të thella fetare, që udhëheqin dhe administrojnë çështjet shpirtërore.
  2. Cuhhal – të paditurit, pjesa e zakonshme e komunitetit, që nuk kanë qasje në doktrinat e thella të fesë.

Druzët besojnë në barazinë gjinore: gratë mund të marrin pjesë në detyra fetare dhe rolet udhëheqëse. Ata e ruajnë identitetin e tyre me rigorozitet – nuk pranojnë martesat e jashtme dhe as hyrje-dalje në fe.

Ata kanë veshje tradicionale dhe ceremoni kulturore, por festat fetare janë shumë të pakta dhe ritualet janë të fshehta.

Druzët në Siri dhe marrëdhënia me regjimin

Në Sirinë me strukturë komplekse shoqërore, druzët janë një ndër pakicat më të spikatura fetare dhe politike. Ata jetojnë kryesisht në provincën jugore të Suvejdas dhe me një popullsi rreth 700 mijë banorë përbëjnë një nga pakicat më të mëdha fetare në vend.

Sultan el-Atrash, ose me emrin e plotë Sulltan Pasha el-Atrash, është një ndër figurat më të rëndësishme historike të komunitetit druz në Siri. Ai ishte simbol i rezistencës ndaj mandatit francez dhe mbetet një emër kyç në lëvizjen kombëtare siriane.

Që nga fillimi i luftës civile në vitin 2011, druzët janë përpjekur të ndjekin një politikë neutraliteti. Edhe pse nuk shpërthyen ndonjë kryengritje të hapur kundër regjimit të Esadit, ata reaguan në raste ndaj padrejtësive. Rajoni i Suvejdas arriti të qëndrojë relativisht i paprekur nga shkatërrimet e mëdha të luftës, por vitet e fundit pakënaqësia është rritur për shkak të krizës ekonomike, rritjes së krimit dhe boshllëkut të sigurisë.

Protestat dhe përplasjet e fundit

Në vitet 2023 dhe 2024, në Suvejda shpërthyen protesta që morën natyrë anti-regjim. Thirrjet “Esadi duhet të largohet” u dëgjuan shpesh në rrugët e qytetit. Populli shprehu hapur zemërimin kundër korrupsionit dhe varfërisë në rritje. Kjo u pa si një largim nga neutraliteti tradicional i komunitetit druz.

Sot, përplasjet midis fiseve arabe beduine dhe grupeve të armatosura druze janë përshkallëzuar përmes rrëmbimeve të ndërsjella. Forcat e sigurisë siriane, që tentuan të hyjnë në qytet për të ndarë palët, gjithashtu u përfshinë në përleshje.

Pas këtyre përplasjeve, Presidenti Shara deklaroi se populli druz është marrë nën mbrojtje të drejtpërdrejtë nga shteti. Megjithatë, për të shmangur një luftë të gjerë, përgjegjësia për sigurinë në Suvejda i është kaluar forcave lokale dhe liderëve druzë.

Shkruan Fokus+

Solli në gjuhën shqipe kohaislame.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit