Tërmeti ekonomik që po ndodh në botën euroatlantike
Presidenti francez Emmanuel Macron i bëri thirrje Bashkimit Evropian të mbrojë me vendosmëri interesat evropiane pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump kërcënoi të vendoste tarifa deri në 30 përqind për pothuajse të gjitha importet e BE-së.
Në të njëjtën kohë, Komisioni Evropian dhe Indonezia arritën një marrëveshje të rëndësishme politike mbi tregtinë e lirë, duke i dhënë fund nëntë viteve negociata.
Presidentja e KE-së Ursula von der Leyen dhe presidenti indonezian Prabowo Subianto njoftuan së bashku marrëveshjen, duke shënuar një fazë të re në lidhjet ekonomike me një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në botë.
Burime diplomatike raportojnë se Indonezia, pavarësisht mosmarrëveshjeve të mëparshme me BE-në mbi rregulloret, tani e sheh Brukselin si një partner më të qëndrueshëm sesa Uashingtoni.
Në kontekstin e një rendi tregtar global të prishur, të tronditur më tej nga proteksionizmi i Trump-it, BE po intensifikon përpjekjet për të lidhur marrëveshje me partnerët aziatikë dhe të Amerikës së Jugut, përfshirë Indinë dhe Tajlandën. Pritet që disa nga këto marrëveshje të mund të përfundohen deri në fund të vitit.
Macron tha se Bashkimi duhet të jetë gati të përballet me Uashingtonin nëse është e nevojshme.
“Më shumë se kurrë, i takon Komisionit të tregojë vendosmëri në mbrojtjen e interesave evropiane.”
Ndërsa Macron po mban një qëndrim më të ashpër, disa udhëheqës evropianë po bëjnë thirrje për një ulje të tensioneve. Midis tyre janë përfaqësues të Gjermanisë, Italisë, Holandës dhe Irlandës.
Kancelari gjerman Friedrich Merz, i cili foli drejtpërdrejt me Trump-in, mbështeti një qasje pragmatike dhe po përpiqet të ndërmjetësojë për të shmangur përshkallëzimin.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, e njohur për marrëdhëniet e saj të mira me Trump-in, shprehu besim se mund të arrihet një marrëveshje e tregtisë së drejtë.
Në anën tjetër të Atlantikut, këshilltari ekonomik i Shtëpisë së Bardhë Kevin Hassett tha se Trump do të vazhdojë të përdorë kërcënime me tarifa kundër BE-së, Meksikës dhe partnerëve të tjerë, përveç nëse kushtet tregtare janë më të favorshme për SHBA-në.
Edhe pse kërcënimi i një tarife prej 30% shihet si pjesë e strategjisë negociuese, shumë zyrtarë evropianë paralajmërojnë se një retorikë e tillë mund të shkaktojë një krizë serioze transatlantike në një kohë kur paqëndrueshmëria globale ekonomike dhe gjeopolitike po arrin kulmin.
Tregtia vjetore midis BE-së dhe SHBA-së është rreth 1.4 miliardë euro, dhe tre anëtarë të BE-së – Gjermania, Italia dhe Irlanda – kanë një suficit tregtar me SHBA-në, falë eksporteve të forta farmaceutike dhe industriale. /tesheshi.com/
