Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të vendosin brenda të enjtes nëse do të imponojnë sanksione ndaj bankave dhe institucioneve financiare kineze, që pavarësisht paralajmërimit amerikan, kanë vazhduar të blejnë naftën iraniane.
Ditën e enjte skadon edhe afati i vendosur nga Uashingtoni, përpara vendosjes së sanksioneve ndaj të gjithë vendeve që vazhdojnë të bëjnë tregëti me Iranin.
Sipas ligjit kontradiktor të aprovuar nga presidenti Obama në dhjetor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të marrin masa ndaj çdo vendi që do të vazhdojë të importojë naftën iraniane direkt nga vendi, ndërsa të gjithë ato firma që do të kryejnë marrëveshje tregëtare do të bllokohen nga kryerja e transaksioneve në tregun amerikan.
Legjislacioni u miratua me qëllimin e privimit të Iranit nga burimi i tij kryesor i të ardhurave, duke shtrënguar kështu “lakun” në fytin e qeverisë së Teheranit, që refuzon të përfshihet në negociata konstruktive në lidhje me ambiciet e saj bërthamore.
Ligji ka detyruar shumë vende që të reduktojnë ose ndërpresin importet dhe shembulli i tij është ndjekur edhe nga Bashkimi Europian dhe disa vende të tjera.
Megjithatë, Uashingtoni është detyruar të pranojë deri tani 17 përjashtime, përfshi atë të Tajvanit, që vazhdon të ruajë marrëdhëniet tregëtare dhe të importojë karburante nga Irani, ndonese se ka reduktuar sasine.
Pavarësisht presionit, Kina ka vazhduar të ruajë të paprekura kuotat e importit të saj nga Irani, duke vendosur nën presion administratën amerikane.
Mundësia e sanksioneve ndaj Pekinit është veçanërisht e ndjeshme, jo vetëm për statusin e saj si supefuqia e dytë në botë, por edhe sepse Kina është aktualisht partneri kryesor tregëtar i SHBA-së (pas BE-së nëse merret si grup).
Në këto kushte, një bllokadë ndaj Kinës do të sillte efekte katastrofike në vetë ekonominë amerikane, që është ende duke u rimëkëmbur nga kriza e vitet 2008-09.
Nga ana tjetër, ekspertët vënë në dukje se pa një rritje të tonit ndaj Kinës, prestigji i SHBA-ve në arenën ndërkombëtare do të dëmtohej, prandaj në çdo rast, Uashingtoni zyrtar e ka të pamundur të marrë një vendim ideal./tch/kohaislame