– Ne jemi fëmijët e Gazës. Po ju shkruajmë, o sheiku ynë, me zemrat e mbushura me dhimbje e frikë, dhe me sytë e ngulur drejt jush, me një fije shprese. Po ju drejtohemi me lutje, ndërsa ju i shihni përditë si lufta e gëlltit pafajësinë tonë dhe na vjedh ëndrrat. Rrethimi zgjati shumë, vuajtjet u shtuan, uria na ka shkatërruar. Tashmë kemi filluar ta kemi më shumë frikë nga uria dhe etja se sa nga predhat dhe raketat. Shtëpitë tona janë rrënuar, shkollat tona janë shkatërruar, xhamitë tona janë rrafshuar me tokë – dhe e ardhmja jonë po humbet mes rrënojave të luftës dhe heshtjes së botës.
– O sheiku ynë i nderuar, a e dini se lodrat tona të vetme janë mbetjet e bombave? A e dini se këngët tona janë bërtitjet e dhimbjes? Ne flejmë me zhurmën e shpërthimeve dhe zgjohemi me erën e vdekjes. Po vdesim nga uria. Të sëmurët tanë po ndërrojnë jetë nga mungesa e ilaçeve. Baballarët tanë janë dëshmorë, dhe nënat tona qajnë nga dhimbja dhe pafuqia.
– Ju, o imam i nderuar, jeni fanari i Islamit, zëri i së vërtetës që ngrihet nga korridoret e Al-Az’harit të ndritur. Ne kemi besim në urtësinë dhe ndjeshmërinë tuaj për Islamin dhe për myslimanët – dhe ne jemi një pjesë e kësaj ummeti. Ju lusim me gjithë zemër që ta ngrini zërin tuaj lart, përmes pozitës dhe rolit tuaj, sepse ju jeni një amanet për këtë ummet. Bëni gjithçka që keni në dorë me ndikimin dhe fuqinë tuaj për të thyer këtë bllokadë të padrejtë mbi Gazën.
– Ngrini një thirrje të fuqishme! U drejtohuni udhëheqësve të botës, zgjoni ndërgjegjet e kombeve, bëni thirrje për ndihmë te ummeti dhe vendimmarrësit, dhe te populli i madh i Egjiptit që të ndihmojnë popullin e Gazës – fëmijët, gratë dhe pleqtë e saj. Hapni për ne dyert e shpresës. Rikthejini jetës sonë dinjitetin që e kemi humbur. Ju lutemi – mos na lini vetëm përballë këtij fati të errët.
**– Ne besojmë se zëri juaj, lutjet tuaja, qëndrimet tuaja fisnike dhe përpjekjet tuaja mund të bëjnë ndryshimin. Zgjateni dorën për të na ndihmuar. Na shpëtoni nga kthetrat e urisë, sëmundjes dhe shkatërrimit. Ne jemi një amanet në qafën tuaj – për të cilin do të pyeteni përpara Allahut të Lartësuar: a e mbrojtët, apo e humbët? Ne po vdesim nga uria…”
