Rreth faljes së xhumasë dhe faljes së bajramit kur bien në të njëjtën ditë – Shejhul-Islam Ibn Tejmije

Më të lexuarat

Përmbledhje e redaktuar

Rreth faljes së xhumasë dhe faljes së bajramit kur bien në të njëjtën ditë

 

Shejhul-Islam Ibn Tejmije ka thënë:

 

Falënderimi i qoftë Allahut!

Kur xhumaja dhe bajrami ndodhin në të njëjtën ditë, dijetarët kanë dhënë tre mendime:

  1. Mendimi i parë: Obbligohet falja e xhumasë për atë që ka falur bajramin, ashtu siç obligohet falja e çdo xhumaje, bazuar në argumentet e përgjithshme që tregojnë për detyrimin e faljes së xhumasë.
  2. Mendimi i dytë: Xhumaja bie për banorët e largët (si ata që jetojnë në fshatra ose zona të thella), ngjashëm me banorët e zonës së quajtur “El-A’valij” dhe të zonave bujqësore, sepse Uthmani (Allahu qoftë i kënaqur me të) u dha leje atyre të mos vijnë në xhami për xhuma pasi kishin falur bajramin.
  3. Mendimi i tretë (dhe më i saktë): Ai që ka falur bajramin, për të nuk është detyrim falja e xhumasë, por imami duhet të mbajë faljen e xhumasë që të mund ta falin ata që dëshirojnë ose ata që nuk kanë marrë pjesë në faljen e bajramit.

Kjo është transmetuar nga Pejgamberi (paqja qoftë mbi të) dhe nga shokët e tij si Omeri, Uthmani, Ibën Mesudi, Ibën Abbasi, Ibën Zubejri dhe të tjerë – dhe nuk dihet që ndonjë prej sahabëve të ketë pasur mendim të kundërt.

 

Ata që kanë mbajtur mendimin e parë dhe të dytë, atyre nuk u ka arritur hadithi i saktë nga Pejgamberi (paqja qoftë mbi të) kur në një ditë ishin bashkuar dy bajrame: ai e fali bajramin, pastaj lejoi mosfaljen e xhumasë.

Në një transmetim thuhet se ai ka thënë:

“O njerëz! Ju keni fituar një të mirë të madhe. Ai që dëshiron të falë xhumanë, le ta falë, sepse ne do ta falim atë.” (Ebu Davud dhe Nesaiu).

Analiza objektivore e kësaj meseleje fikhore

  • Gjithashtu, kur dikush e ka falur bajramin, ai e ka përmbushur qëllimin e pjesmarrjes në tubim masiv të besimtarëve, pastaj nëse nuk e fal xhumanë, ai fal drekën në kohën e saj. Kështu që, qëllimi i xhumasë realizohet me bajramin.
  • T’i obligosh njerëzit të falin të dyja i vështirëson dhe ua prish gëzimin dhe çlodhjen që u është ligjëruar për bajramin. Nëse i pengon nga kjo, atëherë bajrami kthehet në të kundërtën e qëllimit të tij.
  • Po ashtu, dita e xhumasë është festë, ashtu si dita e Fitrit dhe Kurbanit. Nga natyra e Sheriatit është që, kur bashkohen dy adhurime të së njëjtës natyrë, njëra përfshihet në tjetrën, sikurse përfshihet abdesi në gusëll, apo një gusëll në tjetrin.

Allahu e di më së miri.

📚 Mexhmu’ul-Fetava; (24/210).

Përktheu: Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit