Disa palestinezë kanë treguar për Associated Press se janë detyruar nga trupat izraelite të shërbejnë si mburoja njerëzore në Gaza, duke u dërguar në ndërtesa dhe tunele për të kontrolluar për mina apo luftëtarë.
Sipas tyre, kjo praktikë është bërë e zakonshme gjatë 19 muajve të luftës. Një burrë palestinez tha se të vetmet momente kur nuk ishte i lidhur apo i verbuar, ishin ato kur po përdorej nga ushtarët si mburojë njerëzore.
Ayman Abu Hamadan, 36 vjeç, tregoi se ishte veshur me uniformë ushtarake dhe me një kamerë në ballë, ndërsa detyrohej të hynte në shtëpi në Rripin e Gazës për të kontrolluar nëse ishin të sigurta.
“Ma bënë të qartë: ‘Nuk ke zgjidhje tjetër, bëje këtë ose të vrasim’,” tha ai, duke shtuar se pas çdo njësie që e përdorte, ia kalonin njësisë tjetër.
Këto dëshmi ngrenë shqetësime serioze për shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare.
