Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore po ndërpret përfitimet për shkak të asaj që ata e quajnë dështim të vazhdueshëm të Universitetit për të adresuar sulmet antisemite dhe diskriminimin racor.
Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS) i Shteteve të Bashkuara të Amerikës njoftoi se po anulon 60 milionë dollarë grante federale për Universitetin e Harvardit.
“HHS-ja po ndërmerr veprime vendimtare për të ruajtur të drejtat civile në arsimin e lartë.
Për shkak të dështimit të vazhdueshëm të Universitetit të Harvardit për të adresuar ngacmimin antisemitik dhe diskriminimin racor, HHS-ja po ndërpret grante të shumta shumëvjeçare, me një total prej afërsisht 60 milionë dollarësh gjatë afatit të tyre të plotë”, thuhet në njoftimin e shpërndarë në X.
Departamenti shtoi se diskriminimi nuk do të tolerohet në universitete dhe se fondet federale duhet të mbështesin institucionet që mbrojnë të gjithë studentët.
Administrata e Donald Trump ka ngrirë tashmë më shumë se 2,2 miliardë dollarë në grante federale për Harvardin dhe 60 milionë dollarë shtesë përmes kontratave.
Harvard e paditi administratën në përgjigje, duke argumentuar se ngrirja e fondeve shkel Amendamentin e Parë të Kushtetutës dhe ligjin federal që e ndalon presidentin të urdhërojë drejtpërdrejt ose tërthorazi Shërbimin e të Ardhurave të Brendshme (IRS) të fillojë ose të ndërpresë një audit ose hetim.
Presidenti i Harvardit, Alan Garber, njoftoi javën e kaluar se universiteti do të përdorë 250 milionë dollarë nga fondet e veta për të mbështetur kërkimin.
Administrata Trump ka kërcënuar të ngrijë fondet federale për shumë universitete, përfshirë Harvardin, duke përmendur protestat në kampus në mbështetje të Palestinës dhe programeve të diversitetit, barazisë dhe përfshirjes (DEI).
