Më mirë një vezë sot apo një pulë mot? – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Në shoqërinë tonë – dhe jo vetëm – partitë politike, zakonisht, e ndërtojnë retorikën dhe fushatën e tyre mbi premtime që synojnë të zgjidhin nevojat më të ngutshme të njerëzve. Kjo nuk ndodh vetëm sepse këto janë përparësitë e dukshme në perceptimin kolektiv, por edhe sepse janë mjeti më i sigurt për të fituar pushtetin. Në fund të fundit, barku bosh nuk do shumë filozofi, dhe dhimbja e përditshme nuk lë vend për idealet e larta morale.

Shumica e njerëzve, të lodhur nga dështimet e njëpasnjëshme, bëhen njëherazi të prekshëm dhe të manipulueshëm. Ata kapen pas çdo premtimi për ndryshim radikal, që zakonisht reklamohet si një përmbysje e realiteteve brenda një cikli katërvjeçar – premtime që shpesh tingëllojnë aq joshëse saqë sfidojnë edhe logjikën e historisë. Premtohen para më shumë, mirëqenie, rritje pensionesh, investime publike… etj.Dhe pastaj pyesim se, çfarë mund të kërkojnë më shumë se kaq njerëzit?

Por, ndërrimi i emrave në skenën politike rrallë sjell ndryshim të vërtetë. Ndërsa elitat qarkullojnë, shpresa venitet. Në këtë rreth vicioz të pafund propagandash dhe zhgënjimesh, njerëzit bien në apati, u duken të gjithë njëlloj, nuk besojnë më askënd, nuk duan më asnjë, e shpesh nuk votojnë fare. Ata shndërrohen në spektatorë të heshtur të një teatri që duket se luhet gjithmonë nga aktorë të njëjtë, me kostume të ndryshme.

Ajo që shpesh mungon në këtë lojë pushteti është vizioni i thellë i qeverisjes, sepse një qeveri e mirë nuk është ajo që thjesht jep më shumë para apo bën ndërtimet më të shpejta, por ajo që ndikon në moralin, ndërgjegjen dhe vetëdijen kolektive të një kombi. Një shtet nuk zhvillohet në të vërtet përmes përfitimit më të madh material të momentit, por përmes ngritjes morale, shpirtërore dhe intelektuale të popullit të tij. Rrogat mund të rriten, por pa rritje të ndërgjegjes, gjithçka përfundon në konsum pavlerë.

Shumë nga plagët tona si shoqëri janë, në rrënjë, plagë të moralit dhe ndërgjegjes sonë kolektive. Ato burojnë nga një mungesë e virtyteve, nga një nënçmim i vetë edukatës dhe moralit të lartë, si themel i qëndrueshmërisë së çdo ndryshimi. Dhe për aq kohë sa morali ynë dhe i brezit të ri sidomos, mbetet në këtë nivel të ulët, edhe më keq seç e kemi pasur, asnjë lloj përparimi material nuk do të mund të zëvendësojë boshllëkun e brendshëm që ndiejmë si shoqëri.

Para se të bëhemi tifozë të një partie apo mbështetës të një lideri, duhet të bëhemi ithtarë të virtyteve: ndershmërisë, drejtësisë, përulësisë, përkushtimit ndaj së mirës. Këto janë themelet mbi të cilat mund të ndërtohet një e tashme më e shëndoshë dhe një e ardhme më e denjë.

Fatkeqësisht, shumë prej nesh sillen siç thotë proverbi: “më mirë një vezë sot, sesa një pulë mot.” Edukimi dhe arsimi janë gjithmonë të fundit në listën e prioriteteve, sepse i shohim si procese të ngadalta, që nuk ngopin barkun dhe nuk eksitojnë tangërllëkun tonë të përditshëm. Por pikërisht këtu fillon ndryshimi i vërtetë.

Sikur të kishim investuar seriozisht në edukim që në fillim të këtij rrugëtimi post-komunist, sot nuk do të kishim këtë klasë politike të kalbur e të korruptuar dhe as një brez të ri që shpesh ngjan më shumë me të vjetrin sesa dhuron shpresë për të nesërmen.

Për aq kohë sa votojmë me bark, për rroga e pensione, për rrugë dhe pasaporta, dhe jo me mendje e zemër për të ardhmen tonë të përbashkët, koha do të ikë, dhe “e mira” do të mbetet gjithnjë një premtim i largët që nuk na arrin kurrë.

 

Hoxhë Dr. Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit