“Karrocat e Gideonit” – plani më i ndërlikuari ushtarak izraelit për të pushtuar Gazën dhe shkatërruar Hamasin

Më të lexuarat

“Karrocat e Gideonit”: Një plan i shkallëzuar izraelit për të forcuar kontrollin mbi Gazën dhe për të ushtruar presion mbi “Hamasin”

Një raport nga eksperti ushtarak izraelit Ron Ben Yishai në gazetën Yedioth Ahronoth zbulon detajet e një plani ushtarako-sigurie izraelite që është përshkruar si “më i ndërlikuari” që nga fillimi i luftës në Gaza, me titullin “Karrocat e Gideonit”. Qëllimi i planit është të ushtrohet presion mbi lëvizjen “Hamas” përmes dy rrugëve paralele: shtyrja drejt një marrëveshjeje për shkëmbim të të burgosurve sipas kushteve të favorshme për Izraelin, dhe çmontimi i strukturës ushtarake të Hamasit në përgatitje për atë që quhet “dita pas” në Rripin e Gazës.

⭕Plani zhvillohet në tre faza:

1. Faza e parë: Përgatitja dhe organizimi
Përfshin ngritjen e qendrave logjistike me mbështetje amerikane në Rafah dhe zhvendosjen graduale të popullsisë në zona “të sigurta”, si dhe krijimin e pikave të kontrollit për të ndarë luftëtarët nga civilët. Gjatë kësaj faze realizohet rekrutimi i pjesshëm i njësive rezervë dhe transferimi i forcave nga frontet veriore në përgatitje për një manovër tokësore.

2. Faza e dytë: Zjarri përgatitor dhe evakuimi masiv
Fillon me bombardime të gjera dhe paralajmërime për evakuim të popullsisë, njëkohësisht me shpërndarjen e kontrolluar të ndihmave humanitare për të penguar shfrytëzimin e tyre nga Hamas. Kjo fazë shoqërohet me përpjekje diplomatike për të lehtësuar largimin e civilëve jashtë vendit, nëpërmjet negociatave me vende të treta që mund t’i pranojnë ata.

3. Faza e tretë: Manovra tokësore dhe vendosja afatgjatë
Përfshin pushtimin e zonave të përzgjedhura për të çmontuar mbetjet e strukturës luftarake të Hamasit dhe të Xhihadit Islamik, si dhe mbajtjen e forcave për një periudhë të gjatë për të parandaluar riorganizimin e tyre. Në çdo fazë ruhet mundësia e tërheqjes për Hamasin në këmbim të lëshimeve në lidhje me të burgosurit.

Plani mbështetet në pesë “levë presioni”: kontrolli i territorit, ndarja e civilëve nga Hamasi, pengimi i shfrytëzimit të ndihmave, izolimi i luftëtarëve nga bazat e tyre, dhe ndikimi psikologjik përmes kërcënimit me një të ardhme të përgjakshme dhe të gjatë.

Megjithë kundërshtimin e gjerë politik brenda Izraelit, niveli ushtarak i udhëhequr nga shefi i shtabit Eyal Zamir këmbëngul në zbatimin e planit brenda një kornize kohore që shtrihet për muaj, duke synuar të kufizojë konsumimin e forcave rezervë.

Rami Ebu Zubejdeh komenton analizen e Ron Ben-Yishai si më poshtë:

Plani “Karrocat e Gideonit” tregon se Izraeli po shkon drejt një modeli të pushtimit afatgjatë të maskuar, ku zëvendësohet pushtimi i plotë me një plan të konsumimit gradual të strukturës luftarake dhe shoqërore të Hamasit. Ideja qendrore qëndron në ndarjen e lidhjes midis rezistencës dhe mjedisit të saj mbështetës, duke përdorur mjete “të buta” si ndihmat dhe mjete “të ashpra” si bombardimet dhe manovrat tokësore të kufizuara.

Por plani përmban rreziqe strategjike të mëdha; më kryesorja është se zhvendosja e dy milionë njerëzve në një zonë të vogël mund të shkaktojë një shpërthim humanitar që tejkalon llogaritjet izraelite, dhe supozimi se “Hamas” do të dorëzohet nën presion pa reagim përshkallëzues mund të jetë i pamatur. Gjithashtu, mbështetja te marrëveshjet e “ditës pas” pa një vizion politik të qartë apo një partner palestinez të pranueshëm e mban planin thjesht në kuadër ushtarak, duke riprodhuar problemin në vend që ta zgjidhë atë.

Përfundimi: “Karrocat e Gideonit” nuk janë gjë tjetër veçse një raund tjetër në një luftë të gjatë konsumimi, përveç nëse nuk shoqërohen me një ndryshim rrënjësor politik në qasjen ndaj Gazës dhe banorëve të saj.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit