Sjellja e paqëndrueshme dhe e çrregullt nuk i nënshtrohet analizës shkencore që çon në përgjithësime që mund të kenë një vlerë parashikuese për grupet, por jo për individët. Kjo është e mundur vetëm me sjellje të qëndrueshme që rrjedh nga zgjedhja e qëllimshme e udhëhequr nga norma të caktuara. Të gjithë njerëzit inteligjentë përpiqen të jenë racionalë në këtë kuptim, suksesi i tyre varet nga disponueshmëria e informacionit përkatës. Prandaj është e arsyeshme të supozohet sjellja racionale si bazë e analizës ekonomike të familjeve dhe ndërmarrjeve. Por racionaliteti ekonomik i supozuar nga ekonomia moderne shkon më tej se kaq. Ai e konsideron maksimizimin e përfitimit personal si tiparin kryesor të të gjithë agjentëve ekonomikë. Konsumatori maksimizon dobinë ose kënaqësinë dhe firma maksimizon fitimet. Këto koncepte janë thellësisht individualiste dhe utilitariste. Altruizmi ose kujdesi për të mirën e të tjerëve në zgjedhje përjashtohet. Horizonti kohor ngushtohet në të ardhmen e afërt, nëse jo në të tashmen. Kujdesi për jetën pas vdekjes përjashtohet, sado i sinqertë të jetë besimi në të. Ky koncept tenton të konsiderojë qëllimet jo-ekonomike si të parëndësishme për zgjedhjen, për aq kohë sa dobia, kënaqësia dhe fitimi interpretohen në terma thjesht ekonomikë. Meqenëse maksimizimi i fitimeve nënkupton minimizimin e kostove, fokusi është tek kostoja direkte për individin, duke injoruar kostot ekologjike dhe socio-kulturore. Kështu, koncepti i racionalitetit ekonomik përfaqëson mënyrën materialiste, individualiste dhe tokësore të të jetuarit, e cila mbizotëronte në kohën e lulëzimit të kapitalizmit. Ishin kohët e shmangies nga feja dhe morali dhe të rebelimit kundër Kishës. Ideja darviniste e mbijetesës së më të fortit e shenjtëroi më tej shfrytëzimin e të dobëtit nga i forti në emër të racionalitetit ekonomik. Ideja e epërsisë së racës së bardhë justifikoi imperializmin.
Koncepti i racionalitetit ekonomik nuk është i përshtatshëm për analizën e sjelljes në vendet myslimane, për dy arsye kryesore. Ai nuk është realist. Burrat dhe gratë kujdesen për të mirën e të tjerëve, përveçse për të mirën e vet. Zgjedhja e tyre ndikohet nga vlerësimi që i bëjnë pasojave të mundshme për shoqërinë, për fqinjët, etj. Ata kujdesen për jetën pas vdekjes. Zgjedhja e tyre si konsumatorë dhe vendimet e tyre si prodhues, punëdhënës, tregtarë etj. ndikohet nga besimi ose mungesa e besimit në jetën tjetër. Ata gjithashtu motivohen nga konsiderata sociale, kulturore dhe politike. Këto prirje mund të jenë të forta ose të dobëta, në varësi të shkallës së informacionit të disponueshëm dhe forcës së angazhimit përkatës. Megjithatë, këto prirje ekzistojnë. Një koncept që i injoron këto prirje vështirë se mund t’i bëjë drejtësi realitetit. Kur konceptit të racionalitetit ekonomik i jepet statusi i një supozimi bazë, ai ka prirjen të shërbejë si një normë. Burrat dhe gratë priren ta konsiderojnë atë si mënyrën e duhur për t’u sjellë. Ky është dallimi midis shkencave humane dhe atyre natyrore, ku objekti në të dytat mbetet i paprekur nga çdo supozim që shkencëtari bën në lidhje me sjelljen e tij. Nuk është çudi që altruizmi, konsideratat për botën tjetër dhe motivet jo-ekonomike priren të konsiderohen si mënyra të sjelljes irracionale nga ata që e marrin seriozisht ekonominë. Kur teoria ekonomike aplikohet në problemet praktike dhe bëhen rekomandime për politika, kjo njëanshmëri sjell neglizhimin e interesave jetike të shoqërisë dhe individëve të saj. Kjo është arsyeja e dytë pse “racionaliteti ekonomik” perëndimor nuk mund të pranohet në kuadrin konceptual të ekonomiksit islam. Ai do të pengonte procesin e transformimit islam në sajë të rolit të tij normativ. Ekonomistët islamë kanë sugjeruar zëvendësimin e tij me konceptin e “racionalitetit islam”, që nënkupton orientimin e veprimit drejt përputhjes maksimale me normat islame. Edhe ky koncept është në natyrën e vet normativ, por do të shërbente si një mjet më i mirë analize nëse merret parasysh dobësia e angazhimit islam në shoqëritë myslimane të ditëve të sotme. Ai është një koncept më i gjerë se ai i racionalitetit ekonomik dhe një përqasje më e afërt me realitetin aktual. Roli i tij normativ do të ndihmojë në përparimin e procesit të transformimit islam të shoqërive tona.
