Pakistani – India: Një luftë e re mes dy fuqive bërthamore?

Më të lexuarat

Që nga pavarësia e gadishullit Indian në vitin 1947 dhe zhvillimi i tre luftrave mes Indisë dhe Pakistanit, rajoni i kontestuar i Kashmirit, me shumicë myslimane, ka qenë pikë përplasjeje mes dy ish-kolonive britanike. Çdo incident apo tension në këtë rajon ka potencialin për përshkallëzim, ashtu si ndodhi pas sulmit të ndodhur javën e kaluar në pjesën indiane të Kashmirit, në një zonë turistike në rajonin e trazuar të Himalajeve, ku mbetën të vrarë 26 persona. India dhe Pakistani u përfshinë menjëherë në shkëmbim akuzash dhe kërcënimesh për veprime ushtarake.

Përshkallëzimi mes Indisë dhe Pakistanit u zhvillua brenda 24 orëve, duke përfshirë masa ekonomike dhe diplomatike, si dhe duke vënë në rrezik marrëveshje strategjike, përpara se të niste të përmendej mundësia e ndërhyrjes ushtarake nga dy fqinjët që kanë zhvilluar tri luftëra më parë, të cilat përfunduan me ndarje të mëtejshme të rajonit. Ndërkohë, një grup që quhet “Rezistenca e Kashmirit” mori përgjegjësinë për sulmin në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale.

Pas sulmit, grupi shprehu zemërimin për vendosjen e më shumë se 85 mijë “të huajve” në zonë, çka po sjell “ndryshim në përbërjen demografike”. Në një deklaratë të mëvonshme, të mërkurën, grupi tha se “personat e sulmuar nuk ishin turistë të zakonshëm, por kishin lidhje me agjencitë e sigurisë indiane dhe ishin të dërguar prej tyre”. Deklarata shtonte: “Nuk bëhej fjalë për një grup të zakonshëm turistësh, por për një shërbim të fshehtë të ngarkuar me zbulim”, duke theksuar se sulmi “duhet të jetë një kambanë alarmi jo vetëm për Delhi-n, por edhe për ata që mbështesin strategjitë e tij të dyshimta”.

Dy burime të sigurisë në Indi thanë për agjencinë Reuters të mërkurën se qindra forca të sigurisë u dërguan menjëherë pas sulmit në zonën Pahalgam dhe nisën një operacion të gjerë kërkimi në pyjet aty pranë. Ata shtuan se rreth 100 persona, që dyshohet se kishin simpati për militantët në të kaluarën, u thirrën në komisariate për t’u marrë në pyetje.

Shërbimet e sigurisë indiane thonë se grupi “Rezistenca e Kashmirit” është një fasadë për organizata të ekstremit të dhunshëm me bazë në Pakistan, si “Lashkar-e-Taiba” dhe “Hizbul Mujahideen”.

Krahasim mes ushtrisë indiane dhe asaj pakistaneze

Një krahasim i shpejtë mes ushtrive të Indisë dhe Pakistanit dhe arsenaleve të tyre, sipas faqes së specializuar në çështje ushtarake “Global Firepower”, tregon se Pakistani, me një popullsi rreth 252 milionë banorë, ka epërsi ndaj Indisë (me një popullsi prej rreth 1.4 miliardë), në aspektin e forcës tokësore, kur merren parasysh numri i artilerisë së vetëlëvizshme, topat dhe raketat tokë-tokë.

Nga ana tjetër, India ka epërsi në fuqinë ajrore, me më shumë se 2200 avionë luftarakë, përfshirë 500 avionë të tipit luftarak, ndërsa Pakistani ka vetëm rreth 330 të tillë. India gjithashtu ka epërsi në forcat detare dhe në buxhetin ushtarak, i cili arrin në rreth 75 miliardë dollarë, krahasuar me vetëm rreth 7.7 miliardë dollarë për Pakistanin.

India dhe Pakistani zhvilluan luftën e parë mes tyre që përfundoi në vitin 1949 me ndarjen e Kashmirit, ndërsa lufta e dytë në vitin 1965 nuk e ndryshoi këtë situatë. Lufta e vitit 1971 përfundoi me ndarjen e Pakistanit Lindor dhe krijimin e Republikës së Bangladeshit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit