Rizku dhe Rreziku
Shkruar nga: Prof. Mahmoud Abu ’Adi
Profesori spanjoll Gaspar Mayral ka bërë një përpjekje të madhe shkencore dhe një hulumtim historik të thellë për të gjetur rrënjën gjuhësore të fjalës angleze “risk” (rrezik), duke zbuluar se ajo kthehet tek fjala “rizq” (rizku) në gjuhën arabe dhe në konceptin islam.
Kjo fjalë u transmetua nga arabishtja në latinishten e shekullit të 13-të, e më pas në pesë gjuhët romane si frëngjishtja risque, spanjishtja riesgo, italishtja etj.
Ky përfundim historik i çuditshëm shton një pyetje thelbësore:
Cila është lidhja mes “rrezikut” dhe konceptit të “rizkut” në Islam?
Studiuesit e shpjegojnë këtë lidhje duke theksuar se koncepti i rizkut në Islam për nga natyra e tij nxit guximin, rrezikimin dhe çlirimin nga frika e së ardhmes.
Besimi se Allahu është Furnizuesi i vetëm, ndërsa të tjerët qoftë menaxheri yt, shefi yt apo klienti që përpiqesh ta bindësh janë në fund vetëm “konsumatorë të rizkut”, njerëz që vetë janë të furnizuar nga Furnizuesi i Vërtetë, që u jep rizk të gjitha krijesave, një nga një.
Ky koncept i thellë i fitimit, mjaftueshmërisë dhe përpjekjes për të siguruar rizkun, duke u çliruar nga frika primitive, është ai që i shtyu tregtarët myslimanë të rrezikonin në shkretëtira dhe detra, duke nxitur një lëvizje tregtare globale, të bindur se rizku nuk do t’u shpëtonte, edhe nëse rrezikonin.
Humbja dhe fitimi janë natyrshëm të pa garantuara, por Furnizuesi i Larti është gjithmonë i garantuar, Ai kujdeset për robërit e Tij, si për besimtarët ashtu edhe për jobesimtarët, për dembelët e për të përkushtuarit, për keqbërësit dhe bamirësit.
Në këtë kuptim, përhapja e fjalës “rizq” në gjuhë të tjera nuk ishte thjesht një huazim neutral, por një ndryshim konceptual: përpjekja për të fituar të ardhura është në vetvete e lidhur me rrezikun.
Cili është problemi me rrezikun apo humbjen, nëse Allahu kompenson çdo mungesë?
Pse të frikësohet njeriu nëse i mbështetet Furnizuesit? Rizku i tij është i caktuar dhe askush nuk mund ta ndalojë atë (O Allah, nuk ka dhurues për atë që Ti ndalon dhe as ndalues për atë që Ti jep). Profeti (paqja qoftë mbi të) ka thënë se Xhibrili i ka fryrë në shpirtin e tij të pastër: “Asnjë shpirt nuk vdes derisa të përmbushë rizkun e tij.”
Por, në çfarë kuptimi besojnë myslimanët sot në konceptin e rizkut?
Njerëzit rrisin fëmijët e tyre mbi parime që bien ndesh me këtë koncept të pastër të rizkut.
Shoqëria që nga fëmijëria na pyet: “Çfarë do të bëhesh kur të rritesh?”, duke na kufizuar identitetin dhe vlerën tonë në titullin e punës – si të ishte ajo qëllimi suprem i jetës përmes idesë se sa e mahnitshme është të punosh për kompani si Google, Microsoft, apo Amazon.
Ky edukim shoqëror që lavdëron punën për vetë punën, kthehet në nënvetëdije në formimin e thellë të perceptimit tonë për vetveten dhe synimet tona të cilat më vonë shndërrohen në ankth neurotik dhe zinxhirë që pengojnë ndershmërinë morale.
Nuk ka nevojë të thuhet se puna është e rëndësishme dhe përpjekja për të fituar është e ligjshme, por kur njeriu e përkufizon veten vetëm përmes punës, ai bëhet një njeri i zbutur, i mbyllur si një pulë në kotec, pa ndjenja etike, që nuk mbron të shtypurit, as nuk qëndron në krahun e kolegut që i bëhet padrejtësi nga frika e humbjes së burimit të rizkut.
Kjo është pikërisht thelbi i debatit që dua të ngre: marrëdhënia e njeriut me konceptin e rizkut dhe pasurisë nuk është çështje dytësore. Paraja dhe mënyra si e koncepton fitimin e saj formon qëndrimin tënd moral, ekzistencial ndaj vetes, botës dhe të tjerëve.
Në vitin 2011, filozofi italian Lazzarato shkroi një libër të fuqishëm: “Prodhimi i Njeriut Borxhli”, ku shpjegon se si sistemi neoliberal e shndërron njeriun në një krijesë e lidhur nga borxhi. Kjo është një mënyrë e re zbutjeje përmes sistemit të jetës moderne, ku individi vrapon në një cikël të pafund huamarrjeje dhe shlyerjeje borxhesh, për të përmbushur kërkesat e një jete që shoqëria i ka vënë si standarde të suksesit.
Kalimi nga kapitalizmi klasik në neoliberalizëm përshkruhet kështu: njeriu nuk punon më për të jetuar, por merr borxh për të jetuar, pastaj punon për të paguar borxhin.
Ky vetëdijësim jo vetëm që përmbys mënyrën si njeriu e shikon veten, por ndryshon edhe përjetimin e kohës: jeta kthehet në një varg datash të kësteve, afateve të pagesave dhe kredive.
Këto ndryshime çojnë në një besim të thellë në shpëtimin individual, në rritje të frikës dhe pasivitetit, duke e penguar individin të mendojë për shoqërinë apo kombin e tij e kjo ndjesi faji nuk bën tjetër veçse e paralizon edhe më shumë.
Përfundimi që dua të jap është ky:
Rizku nuk është vetëm një koncept besimi, por një logjikë praktike që forcon moralin e myslimanit dhe e mbron nga pasiviteti.
“Rizku në thelb nuk është një premtim për pasuri, por një çlirim nga frika që të bën një qenie të ulët dhe një njeri frikacak.”
Përktheu: Bekir Halimi
