“Sapo ta bëjmë këtë, ata do të kthehen me vrap në vendin tonë, sepse ne jemi treg i madh. Avantazhi që kemi ndaj të gjithëve është se ne jemi një treg i madh”, tha presidenti amerikan Trump.
Presidenti i ShBA-së, Donald Trump ka bërë të ditur se së shpejti do të shpallë një tarifë “të lartë” për importet farmaceutike, një veprim që sipas tij, do të kthejë prodhimin e barnave në tokën amerikane.
Në një darkë të Komitetit Kombëtar Republikan të Kongresit, Trump tha se “shumë shpejtë” do të shpallin një tarifë të lartë për farmaceutikët.
“Sapo ta bëjmë këtë, ata do të kthehen me vrap në vendin tonë, sepse ne jemi treg i madh. Avantazhi që kemi ndaj të gjithëve është se ne jemi tregu i madh”, tha Trump.
“Kur ta dëgjojnë këtë, ata do të largohen nga Kina, do të largohen nga vende të tjera, sepse do duan të shesin. Shumica e produkteve të tyre shiten këtu”, shtoi ai, duke iu referuar kompanive të barnave.
President amerikan akuzoi administratat e mëparshme të ShBA-së që lejuan Kinën të përfitojë nga ShBA-ja përmes praktikave të padrejta tregtare, si dhe u zotua se kjo nuk do të ndodhë më nën udhëheqjen e tij.
Ai akuzoi Kinën për vendosjen e tarifave “të pajustifikuara”. Sipas tij, shumë vende kanë përfituar nga tarifat gjatë viteve dhe veprimet e tij tani po tërheqin kritika të padrejta.
“Të gjithë u pasuruan për shkak të tarifave. Tani, e keni parasysh, kur i bëjmë të gjitha këto, është kaq e tmerrshme. “Ajo që Trump po bën është e tmerrshme”. Ata u pasuruan dhe jo vetëm Kina, por shumë vende. Për shembull, shikoni Vietnamin, shikoni shumë të tjerë, mund të përmend 50 të tilla aty për aty”, tha ai.
Trump tha se tarifa prej 104 për qind ndaj mallrave kineze do të hyjë në fuqi në mesnatë, si dhe theksoi se ato do të mbeten në fuqi derisa Pekini të pranojë një marrëveshje të re.
“Mendoj se ata do ta arrijnë një marrëveshje në një pikë. Kina e do këtë. Ata e duan një marrëveshje. Me të vërtetë e duan”, shtoi ai.
