Lutja e pranuar në natën e 27-të të Ramazanit
Allahu ma mundësoi që në natën e 27-të të Ramazanit të më pranohet lutja dhe u bëra nënë.
Selam, i nderuar hoxhë Elvedin,
Dëshirova ta ndaj tregimin tim jetësor dhe, nëse e shihni të arsyeshme, mund ta publikoni që të jetë një përkrahje për çiftet që mundohen të zmadhojnë familjen, gjegjësisht të kenë fëmijë.
Unë dhe burri im, pas dy viteve martese, filluam të punojmë për të pasur një fëmijë. Pas disa muajsh të pasuksesshëm, vendosëm të vizitojmë disa ordinanca, ku mjekët na thanë se të dy jemi të shëndetshëm. Kështu filloi përpjekja jonë, e cila zgjati plot katër vite. Shkonim prej një mjeku te tjetri dhe dëgjonim të njëjtat fjalë, derisa vendosëm të shërohemi me lexim të Kuranit, por përsëri pa sukses.
Pas gjithë kësaj, u dorëzova dhe mendova se kurrë nuk do ta shëtisja fëmijën tim me duart e mia. Përveç kësaj, na dolën edhe probleme financiare, aq sa menduam se do të mbeteshim në rrugë. Katër vite luftë, katër vite vaj, lot dhe depresion. Në atë kohë nuk falesha, sepse isha rritur në një familje që nuk e praktikonte fenë, prandaj nuk dija asgjë nga parimet e saj. Megjithatë, besoja në Zot dhe i lutesha në mënyrën time, ashtu siç mendoja se duhej.
Në vitin e katërt, gjatë muajit të Ramazanit, unë dhe bashkëshorti po dëgjonim radion dhe kuptuam se ishte nata e njëzet e shtatë – Lejletul Kadr, nata e dëshirave. U ngrita në këmbë dhe i thashë burrit: “Eja të falemi.” Ai ma ktheu: “Po ti nuk di të falesh.” I thashë: “Lexo me zë dhe unë do të përsëris pas teje.” Kështu vepruam.
Atë natë e luta të Mëshirshmin Allah që të më gëzonte me një fëmijë, dhe më pas shkuam të flinim.
Në mëngjes i tregova burrit për ëndrrën që kisha parë: ne të dy shëtisnim një vajzë me flokë kaçurrela. Kur ia tregova, ai më tha se kishte parë të njëjtën ëndërr.
Përafërsisht dy muaj pas kësaj ngjarjeje, falënderimi i takon Allahut, kuptova se isha shtatzënë. Disa muaj më vonë e mësova se prisja një vajzë dhe, kur e linda, e kuptova se ishte e njëjta vajzë që kisha ëndërruar.
Pas kësaj, Allahu i Mëshirshëm më dhuroi edhe dy djem. Sot i fal pesë kohët e namazit dhe njësoj edhe fëmijët e mi.
Ky ishte tregimi im dhe, nëse mendoni se ja vlen ta publikoni apo ta shpërndani, keni lejen time – natyrisht, pa emrin tim.
Selam!
(E përkthyer nga boshnjakishtja – Kenan Bajrami)
