Përballë mallit për Ty, o i Dërguari i Allahut ﷺ …

Më të lexuarat

 

Ah, sikur të mund ta ndieja një herë praninë tënde… Sikur të qëndroja pas teje në namaz, të dëgjoja zërin tënd që mbushte zemrat me dritë e mëshirë… Ah, sikur sytë e mi të kishin fatin të shikonin fytyrën tënde, atë fytyrë që ndriçoi botën dhe shpirtin e besimtarëve…
Sa thellë të ndien kjo zemër, o i Dërguari i Allahut ﷺ! Malli më djeg si zjarr, më rëndon shpirtin si një peshë që s’kam fuqi ta mbaj… E si të mos lotojnë sytë, kur s’pata nderin të të shoh? Si të mos dridhet zemra, kur s’munda të eci pas teje në rrugët e Medinës, kur s’munda të shtrëngoj dorën tënde, të dëgjoj fjalët e tua me veshët e mi?
Ah, sa shumë të kërkon shpirti… Në çdo fjalë tënde gjej prehje, në çdo hadith që lexoj, sikur dëgjoj zërin tënd që më flet. Por sa shumë më dhemb që s’munda të të shikoj, që s’munda të të dëgjoj, që s’munda të jem afër teje… O i Dërguari i Allahut ﷺ, syri loton pa pushim nga ky mall i thellë, nga kjo dashuri që s’ka fjalë ta përshkruajë…
O i Dërguari i Allahut ﷺ, sa shumë të do ky shpirt, edhe pa të parë kurrë! Sa shumë ka mall për një çast, për një vështrim, për një fjalë tënden! Sikur të kisha jetuar në kohën tënde, me lejen e Allahut do të isha prej atyre që të ndiqnin hap pas hapi, që do të jepnin çdo gjë për të qenë pranë teje, që do të të shikonin me sytë e mbushur me dashuri e lot gëzimi…
Por unë nuk pata atë fat… U linda në kohë të largëta, kur ti kishe shkuar tek Zoti yt… Megjithatë, zemra të kërkon, shpirti nuk ndalet së menduari për ty… Sa herë lexoj për ty, më duket sikur je këtu, sikur më shikon, sikur më dëgjon… Dhe prapë, syri nuk rresht së lotuari nga ky mall që vetëm shtohet…
O Allah, mëshiroje këtë zemër të përmalluar!
O Allah, Ti që na bashkove me të në këtë botë përmes dashurisë për të, mos na privo nga takimi me të në botën tjetër! Na bëj prej atyre që do të jenë pranë tij në Firdeusin e Lartë! Na lejo ta shikojmë, ta dëgjojmë, të qëndrojmë pranë tij, dhe të mos largohemi më kurrë nga ai vend i lumturisë së përjetshme!
Amin, o Mëshiruesi më i Madh!

Hoxhë Fitim Gërguri

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit