5.8 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

PS-LSI, përplasjet për hetimin ndërkombëtar dhe qeverisjen

Më të lexuarat

Zhvillimet e vrullshme brenda së majtës, të lidhura me çështjen e CEZ-it dhe kërkesa e opozitës për një hetim ndërkombëtar sollën një ftohje mes dy partive kryesore, PS-së dhe LSI-së. Në vorbullën e këtyre zhvillimeve, të ndodhura brenda 10 ditëve, ku Kryeministri ndodhej përtej Atlantikut, u folën për shumë zhvillime, ku çështja e hetimit ndërkombëtar dhe sa më të shpejtë, e propozuar nga opozita me anë të një projektligji, gjeti mbështetjen e kreut të LSI-së, Ilir Meta. Pikërisht votimi për këtë nismë i së enjtes së shkuar, ishte domethënie më e mirë e kësaj krisjeje mes PS-së dhe LSI-së, ku vetëm katër votat e socialistëve rrëzuan nismën e opozitës. Edhe pse PS-ja i doli publikisht në mbrojtje Metës për çështjen e DIA-s me CEZ-in, LSI-ja vazhdon të ketë pakënaqësi mbi mënyrën e qeverisjes, por siç duket, mbi të gjitha, mbi mënyrën se si po operohet dhe si po funksionon ky koalicion. Takimi i së shtunës, i zhvilluar në zyrën e kryeparlamentarit, mes Metës dhe Ramës, që zgjati një orë e gjysmë, dukej se sikur i sheshoi problematikat mes dy partive, por zhvillimet e mëvonshme nxjerrin në skenë se ndasitë mes dy liderëve kryesorë të qeverisjes ekzistojnë. Dhe ajo më kryesorja lidhet me kërkesën e LSI-së për ndryshimet në qeveri, gjë që dhe nga vetë Meta nuk u mohua në prononcim publik. Por nevojën e këtyre ndryshimeve apo rifreskim të qeverisë “Rama” e kërkojnë dhe aleatët e tjerë të PS-së, të cilët janë më minorë, si PSD-ja e Skënder Gjinushit apo dhe PDS-ja e Paskal Milos. Tashmë Rama ndodhet dhe nën presionin e aleatëve për ndryshimet në qeveri dhe se prova e bashkëpunimit apo e mosbashkëpunimit me LSI-në pritet të vihet re në seancën e radhës në Kuvend, ku prej javësh nuk po kalojnë ligjet me shumicë të cilësuar të votave.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit